Telegrafi

Kosova mban stërvitjen e fundit në ‘Fadil Vokrri’, gati për përballjen me Suedinë

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbajtur sot (e shtunë) mbrëma stërvitjen e fundit para takimit kualifikues me Suedinë në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Dardanët presin Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 në ndeshjen hapëse për Kosovën, të vlefshme për Grupin B.

Para kësaj ndeshje, djelmoshat e Bernard Challandes kanë zbarkuar sonte mbrëma në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe kanë mbajtur stërvitjen e fundit.

Stërvitja e nisur pas konferencës për shtyp u karakterizua me ngrohje të muskujve, vrapime të lehta, goditje dhe provimin e disa skemave.

Interesimi i mediave vendore ishte në nivel për të stërvitje, ndërsa u vërejt atmosfera e mirë në grup mes lojtarëve.

Të gjithë lojtarët u panë në nivel të mirë fizik dhe mbyllen pa probleme stërvitjen e fundit. /Telegrafi/