Telegrafi

Kosova mban stërvitjen e fundit në Athinë, shpreson ta mbyllë me rezultat pozitiv

Kosova e ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit para përballjes me Greqinë, e cila do ta mbyllë fushatën kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”.

Futbollistët dardanë kanë stërvitur me përkushtim në fushën e Stadiumit Olimpik në Athinë, në të cilën në tetor të vitit të kaluar kishin marrë një pikë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Para stërvitjes në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi Primozh Gliha dhe mbrojtësi i krahut Mërgim Vojvoda.

Trajneri slloven ka thënë se pret paraqitje më të mirë dhe më kompakte nga ekipi i tij në ndeshjen e nesërme, por edhe t’i shfrytëzojë rastet që i krijon.

Ndeshja Greqi – Kosovë zhvillohet në Stadiumin Olimpik “Spyros Louis” në Athinë dhe fillon në orën 20:45, sipas kohës në Kosovë.

Dardanët në këtë ndeshje synojnë t’i japin fund serisë prej katër humbjeve radhazi, në mënyrë që edicionin e ri të Ligës së Kombeve ta presë me moral sa më të lartë.