Site icon Telegrafi

Kosova mban stërvitjen e dytë, Ujkani e sheh Çekinë si kundërshtarin direkt

Kosova e ka zhvilluar sonte stërvitjen e dytë në prag të ndeshjeve për kualifikimet Euro 2020 kundër Çekisë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe kundër Anglisë, më 10 shtator në Southampton.

Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Bernard Challandes kishte në shërbim të gjithë futbollistët në të cilët llogaritë për këto dy takime shumë të rëndësishme. Dardanët punuan me intensitet të lartë, derisa atmosfera në ekip është shumë e mirë.

Gjatë 90 minutave stërvitje Challandes dha këshillat e tij për lojën që duhet aplikuar kundër ekipit çek, teksa provoi edhe skema të ndryshme taktike, duke filluar nga vija e fundit e deri në fazën ofanzive.

Gjendja e të gjithë futbollistëve është shumë e mirë dhe fatmirësisht intensitetit e stërvitjes së sotme e kanë kaluar pa problem që të gjithë.

Stërvitjen e sotme nga afër e ka ndjekur edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri.

Pas stërvitjes në konferencë për media u paraqitën portieri Samir Ujkani dhe mbrojtësi Fidan Aliti, të cilët shprehën entuziazmin e tyre për këto dy ndeshje, teksa e vlerësuan Çekinë si rivale shumë të fortë.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, pasi Çekia besoj se është kundërshtari më i fortë pas Anglisë dhe e kemi konkurrent direkt për vendin e dytë. Ne duhet të përqendrohemi te loja jonë dhe të vazhdojmë ritmin pozitiv”.

“Ky ekip ka shumë talente dhe niveli i lojtarëve është rritur shumë. Kemi mungesa të shumta, por do të japim maksimumin për të kompensuar mungesën e tyre”, ka theksuar Ujkani, i cili po ashtu u shpreh i lumtur që është kthyer në Serie A, pasi dje e ka nënshkruar kontratën me Torinon.

Exit mobile version