Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur sot (e hënë) seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kundër Bjellorusisë që zhvillohet nesër (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.
Kjo do të jetë ndeshja e fundit e “Dardanëve” në kuadër të këtij cikli kualifikues për Euro 2024 dhe Kosova synon tri pikët për të përmbyllur me fitore këtë fushatë kualifikuese.
Në nëntë ndeshje të luajtura deri më tani “Dardanët” kanë barazuar në pesë prej tyre, kanë fituar dy dhe kanë humbur po ashtu dy ndeshje.
Kosova kishte pësuar humbje në sfidën e parë ndaj Bjellorusisë të zhvilluar në qershor të këtij viti me rezultat 2-1.
Kosova hyn në këtë ndeshje pas barazimit 1-1 me Zvicrën në Bazel aty ku me gol kishte debutuar sulmuesi i Llapit, Muhamet Hyseni./Telegrafi/