Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur seancën e parë stërvitore në Sofje para ndeshjes kundër Bullgarisë, e cila zhvillohet më 10 qershor.
Në stërvitjen e sotme është punuar në dy grupe, ku pjesa e futbollistëve që kanë luajtur në ndeshjen kundër Malit të Zi kanë bërë vetëm vrapime të lehta dhe ushtrime fizike, derisa pjesa tjetër e futbollistëve ka bërë stërvitje normale.
Angazhimi i futbollistëve si zakonisht ka qenë në nivelin më të lartë, derisa tashmë të gjithë janë të përqendruar tek ndeshja kundër bullgarëve, të bindur se në ndeshjen në Podgoricë meritonim t’i arkëtonin tri pikë, por që fati nuk ishte në anën tonë. Pas stërvitjes kanë dhënë deklarata futbollistët, Atdhe Nuhiu dhe Anel Rashkaj.
Atdhe Nuhiu: Stërvitja e sotme ka shkuar shumë mirë. Temperaturat janë paksa të larta, por e tillë është si për ne si për bullgarët. Sa i përket ndeshjes me Bullgarinë do të shkojmë me mentalitet për fitore, por se a do t’ia arrijmë këtij qëllimi mbetet të shihet. Edhe në ndeshjen e parë kundër bullgarëve, por edhe kundër Malit të Zi luajtëm shumë mirë, por ka shumë faktorë në lojë që ndikojnë në rezultatin e një ndeshje, siç ishte edhe lëndimi i Zenelit.
Anel Rashkaj: Sot kemi punuar të ndarë në dy grupe për shkak të ndeshjes që kishim dje. Ishte mëkat që nuk fituam dje në Podgoricë sepse e kishim lojën në dorë dhe krijuam shumë raste, andaj edhe jemi paksa të dëshpëruar. Megjithatë, tani duhet të përqendrohemi te ndeshja me bullgarët. Çdo ndeshje në kualifikime është e vështirë. E dimë se Bullgaria është ekip i mirë, por duke marrë parasysh ndeshjen e parë në Prishtinë duhet të jemi optimistë sepse ishim dukshëm ekip më i mirë.