Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se tashmë janë vendosur masat e reciprocitetit, sa i përket eksportuesve të Serbisë, të cilët në Kosovë eksportojnë derivate të naftës.
Bajrami tha se kjo masë reciprociteti ndaj Republikës së Serbisë, vjen pas shterimit të të gjitha alternativave tjera, që përmes dialogut të gjendet një zgjidhje.
“Me datën 21 mars 2016 kam marrë vendimin që të vendoset masa reciproke ndaj Republikës së Serbisë, duke mos njohur certifikatën e ADR-së për automjetet dhe certifikatën e ADR-së për shoferet, të lëshuar nga autoritete serbe për transportuesit, eksportuesit e Serbisë, të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë. Me këtë vendim është obliguar Dogana e Kosovës që të mos njeh certifikatën e ADR-së të lëshuar nga autoritete serbe. Vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të Qeverisë së Kosovës, për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut. MTI fillimisht ka kërkuar ng a autoritete serbe që të marrin masat e duhura për të eliminuar këtë barrierë, por nuk ka pasur përgjigje pozitive”, tha Bajrami.
Po ashtu ajo, i bëri thirrje autoriteteve serbe, që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.
Ndryshe, që nga data 28 gusht 2015, kompanitë kosovare importuese që merren me importin e derivateve të naftës nga Serbia, janë ballafaquar me barriera tregtare të vazhdueshme, të vendosura nga autoritetet e Serbisë, duke mos u njohur atyre certifikatat e ADR-së, për automjet dhe shofer të lëshuara nga autoritete e Kosovës dhe Maqedonisë. /Telegrafi/