Në të përditshmen Express të datës 13 shtator në shkrimin e tij me titull “Serbia – Made in Eulex” politikani, analisti, demokrati, eseisti, kritiku i artit, aktivisti i shoqërisë civile dhe të gjitha shoqërive tjera, publicisti, interpretuesi i poezisë japoneze haiki dhe gurmani i madh, sidomos gurmani i madh Shkelzen Maliqi i denoncon botërisht të gjithë ata që nuk e ndajnë mendimin me te duke i cilësuar si kukuvajka, kobnjellës, profetë të dështimit, mjegullues të qasjeve kritike për të vazhduar se këta, duke qenë kundër Rambujesë, propozimit të Ahtisarit, UNMIK-ut, EULEX-it, konferencave të ndryshme rreth dhe për Kosovën si dhe rezolutave të GJND-së dhe të OKB-së përveç se janë kundër bashkësisë ndërkombëtare, ata janë kundër vet Kosovës dhe interesave të saj!Me këtë shkrim shumë të sofistikuar, denoncues dhe të ulët, Shkelzen Maliqi bënë një goditje të sofistikur shumëdrejtimëshe!
Së pari, si Pontije Pilati përpiqet ta shfajësojë veten për denoncimin e vazhdueshëm që i ka bërë “Vetëvendosjes”, që nga themelimi e deri më sot! Nuk ka qenë kritik por thjesht denoncues ndërsa Albin Kurtin e pati portretizuar si të ishte Bin Ladeni vet! Së dyti i vardiset ndërkombëtarëve që nuk paraqet kurrfarë risie për te! Së fundi e bënë një salto mortale të vërtetë duke iu vardisur politikanëve vendorë dhe duke i marrë në mbrojtje nga të cilësuarit më lartë të cilët menduakan se: “politikanët kosovarë janë lakmitarë që politikisht dhe kombëtarisht janë naivë ose shiten lehtë për një grusht eurosh dhe privilegjesh të amoralshme” duke vazhduar se “politikanët dhe diplomatët tanë kënaqen me premtime boshe dhe në këto pazare i hapin katër sytë vetëm për interesat e tyre private dhe të klaneve, jo për të mirën e popullit”!
Duhet ta pranoni se vërtet Shkëlzeni është dinak, pa asnjë dyshim! Cilësimet e veta për politikanët dhe diplomatët kosovarë ua atribuon të tjerëve, kundërshtarëve të mendimit të tij! Duke i “marrë” në “mbrojtje” politikanët dhe diplomatët kosovarë në fakt ai i portretizon ashtu si i sheh ai por përmes kësaj “mbrojtjeje” u vardiset që të përfitojë edhe ai pak! Makro i politikës së korruptuar dhe prokuror i mendimit ndryshe! As kjo nuk është asgjë e re sepse ky ka qenë patent për mbijetesë, jo origjinali i tij por i trashëguar! Dhe duhet pranuar se gjithmonë e ka zbatuar me shumë sukses! Asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje mbijetesa e tij, në asnjë regjim! Ka jetuar shumë mirë dhe edhe tash jeton shumë mirë!
Unë, si pjesë e korit të kukuvajkave ende mendoj se Konferenca e Rambujesë e ka ndarë Mitrovicën në dysh e jo UÇK që, sipas qytetarisë kosovare me përmbajtje jugosllave paska plaçkitur dhe uzurpuar lokale dhe banesa të serbëve në jug të Mitrovicës deri sa po ndahej Mitrovica dhe se serbët janë përqendruar në veri të Mitrovicës shkaku i dhunës që ndaj tyre e kanë ushtruar shqiptarët dhe UÇK-ja! Si të ishte kardinal i Papa Benediktit të XVI-ë! Mendoj gjithashtu se plani i Ahtisarit e ka masakruar statusin e Kosovës dhe e ka legjitimuar faktin se si nuk duhet të jetë shteti! Kësi shteti nuk ka askund në botë, duhet ta pranoni! Statusi i saj politik, Kushtetuta e tij, simbolet shtetërore, ndërhyrje aq flagrante e aq të paturpshme në punët e brendshme të një shteti nuk e besoj se të ketë pasur ndonjëherë në historinë e shteteve!
Shkëlzenit duket se kjo gjë nuk i pengon madje shfaq një kënaqësi për këtë por i penguakan kukuvajkat dhe kobnjellësit shumica e të cilëve, edhe këtë status që e kemi e kanë paguar me gjak dhe burgje shekullore në kohën kur Shkëlzeni ka mundur ta derdhë një pikë djersë për “Kosovën” vetëm për shkak të temperaturave të larta në kohën kur nuk ka qenë duke pushuar nën ndonjë mriz të restoranteve të konferencave të ndryshme për Kosovën! Rezoluta e OKB-së në masë të skajshme e ka relativizuar vendimin e GJND-së dhe ka krijuar favore për Serbinë!
Nëse plani i Ahtisarit vërtet është “vija e kuqe” dhe se kështu deklarojnë edhe qendrat e vendosjes në Washington dhe Bruksel, pse atëherë të miratohen rezoluta për bisedime me Serbinë?! Serbia është padyshim fituese në këtë garë të pabarabartë ku Kosova ka qenë e përjashtuar nga vendimmarrja! Serbia është pajtuar, për herë të parë kohëve të fundit me Washingtonin dhe Brukselin andaj jam i sigurt se ende do të bëhemi pjesë e kompromiseve të dhembshme, tash për ruajtjen e pavarësisë së Kosovës. Sovraniteti është shkërdhyer që nga dita e parë dhe do të dhunohet edhe më shumë në të ardhmen! Në pyetje pra, janë kompromise dhe lëshime të mëdha që i bëhen Serbisë nga vendimmarrësit. Do të bindemi shumë shpejt.
Dikush mund të na akuzojë se po bëhemi viktima të “konspiracionit” që mund të jetë e vërtetë! Ata që nuk e kanë pësuar asnjëherë në jetën e tyre, Shkëlzeni është aty diku mund edhe mos të besojnë! Ne që e kemi pësuar vazhdimisht e kemi këtë frikë sepse ashtu edhe po ndodhë! Ndërsa deklarimi i Shkëlzen Maliqit se kësaj radhe do të votojë për “Vetëvendosjen” është shërbimi më i keq i mundshëm që i bëhet “Vetëvendosjes”! Dhe vaj halli për ta nëse kanë mbetur për votën e Shkëlzenit!
Para afërsisht tre viteve e pata shkruar një shkrim të titulluar “Qiproja e Mitrovicës dhe Hilandari i Graçanicës” ku kam parashikuar se Kosova do të jetë shtet jofunksional i përbërë prej dy entiteteve politike dhe etnike, shqiptarëve dhe serbëve! Bisedimet e ardhshme mund të më vërtetojnë se këto parashikime ishin me vend! Kam frikë se nuk do të më demantojnë! Nëse ndahemi vetëm me status special për veriun e Kosovës mund të llogarisim se nuk jemi edhe aq humbës. Po them nëse…?! Në mes të pohimit të Shkëlzen Maliqit “Serbia- Made in Eulex” dhe pohimit të “Vetëvendosjes” se “Eulex – Made in Serbia” jam në anën e Shkëlzenit, andaj po them Kosova – Made in Shumadia! Nuk e besoj se Shkëlzeni e kundërshton këtë përkrahje që po i japë atij!
(Autori i këtij shkrimi është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale)