Telegrafi

Kosova luan bukur dhe krijon shumë raste, por Suedia fiton në fund

Kosova - Suedia (Foto: FFK-Kosova)

Përfaqësuesja e Kosovës është mposhtur me rezultat minimal 1-0 nga Suedia në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Doha të Katarit.

Dardanët janë ndeshur si të barabartë me suedezët në ndeshjen e zhvilluar në Al Ahli në Doha.

Trajneri Bernard Challandes përveç yjeve të njohur të ekipit si Fidan Aliti, Herolind Shala dhe Anel Rashkaj, vendosi të startojë me tre lojtarë të Superligës së Kosovës: Visar Bekaj, Armend Thaqi dhe Leotrim Bekteshi.

Formacioni startues i Kosovës (Foto: FFK-Kosova)

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Kosovës dhe raste më shumë të krijuara nga Dardanët.

Kosova tentoi me Ylldren Ibrahimaj (6’, 7’), por pa arritur ta befasojë portierin, ndërsa rastin më të mirë e pati Flamur Kastrati (22’), goditja me kokë e të cilit u prit me shumë mund nga portieri suedez.

Në anën tjetër, Suedia gjeti golin në minutën e 37-të, por ky gol u anulua për pozitë jashtë loje.

Lexo po ashtu Suedi 0-0 Kosovë, statistikat e pjesës së parë

Në pjesën e dytë, Challandes vendosi të bëjë shumë ndryshime në fillim duke iu dhënë hapësirë lojtarëve të Superligës si Blend Baftiu, Arbër Hoxha, Jetmir Topalli, Valmir Veliu dhe Lapidar Lladrovci, ndërsa më vonë u inkuadruan edhe Rron Broja dhe Arb Manaj.

Në këtë pjesë, fillimi i takoi Kosovës, ndërsa në vazhdim Suedia mori lojën dhe krijoi diçka më shumë, duke gjetur edhe golin.

(Foto: FFK-Kosova)

Dardanët patën disa raste të mira me anë të sulmuesit të Ballkanit, Topalli, por pa arritur ta gjejnë rrjetën, ndërsa më vonë Suedia në ndëshkoi.

Goli i Suedisë erdhi në minutën e 75-të dhe ishte Simon Hedlund, i cili shënoi për epërsinë 1-0.

Deri në fund të ndeshjes, Kosova provoi për golin e barazimit, por Suedia u mbajt mirë duke fituar në fund ndeshjen.

Kjo ndeshje shërbeu për më shumë minuta për lojtarët e Superligës së Kosovës dhe ata që janë grumbulluar më pak, ndërsa mund të shihet si test i kaluar pasi bënë paraqitje të mirë. /Telegrafi/