Rajoni i Kosovës Lindore, krahinës më të bukur dhe më strategjike të viseve shqiptare në Ballkan, gjatë muajit korrik, është përfshirë nga një varg incidentesh nga më rëndat, që pas periudhës së konflikteve të armatosura.
Këto incidente të orkestruara mirë nga Beogradi zyrtar erdhën në momentet më kyçe për shqiptarët e Kosovës Lindore, të cilët të ndarë dhe të përçarë në shumë parti politike kanë ngelur në gjysmë të rrugës me siç thonë: “As me Prishtinë as me Barilevë!”.
Incidentet
Beogradi zyrtar sa herë t’i n’ teket krijon probleme artificiale, për ta paraqitur forcën e vet politike dhe ushtarake në këto hapësira. U gjet muaji korrik, tamam kur vijnë bashkatdhetarët për të nxitur incidente në rrugën më të frekuentuar në këtë rajon që shpie për në Kosovë, u gjet, pastaj pak ditë më vonë kur KFOR-i i tha “Stop!”, forcave serbe në vijën kufitare afër vendbanimit Karaçevë etj.
Popullata shqiptare e Kosovës Lindore, ka frikë se mund të rishfaqen në skenë incidentet e dikurshme, të cilat kanë lënë gjurmë të përgjakshme në kujtesën e njerëzve të kësaj krahine.
Liderët politikë të këtij rajoni veç e veç i kanë gjykuar këto incidente, të cilat sipas tyre nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit. Shqiptarët gjatë këtyre incidenteve në Preshevë dhe Bujanoc, akuzohen nga autoritetet e forcave të Serbisë për armë, drogë dhe tregti me qeniet njerëzore. Nëpër odat e familjeve shqiptare u shkaktua rrëmujë nga jehona e bastisjeve dhe maltretimeve psikike dhe fizike. Nëpër disa vende u gjetën disa armë të ndryshkura për ta justifikuar veprimin e forcave të kombinuara serbe se u “këput zinxhiri kriminel i terroristëve shqiptarë”, të cilët sipas tyre kishin për synim “Shkëputjen e Korridorit 10, portës kryesore që lidh Evropën me Lindjen e Mesme”, pastaj realizimin e Autonomisë politike – territoriale të Kosovës Lindore, konform Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992!”.
Reagimet
Spektri politik i Kosovës Lindore, nuk e la për “mukajet”, ngritjen e zërit kundër këtyre incidenteve, bile duke e kritikuar hapur Beogradin, i cili sipas tyre fshihet pas këtyre skenareve.
Ky spektër politik nuk u kujtua që ta thërras një seancë të përbashkët të këshilltarëve të tre kuvendeve komunale: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, madje ç’ është më e keqja nuk u kujtua të paktën ta thërras ndonjë seancë të Këshillave komunale për siguri, të cilat veprojnë në kuadër të qeverisjeve lokale.
Çfarë paradoksi! Një muaj më parë këto këshilla për siguri thirrën seancë për të qenë të gatshëm dhe për të marrë masa ndaj zjarreve të mundshme dhe nga rreziku prej qenve endacakë. Këto këshilla si për çudi paraqitën edhe ide se si të ndërtojnë ndonjë azil për qentë, të cilët janë në numër jashtë suaza normale, të cilët rrezikojnë seriozisht qarkullimin e lirë të njerëzve dhe sipas disa informatave komunat duhet të paguajnë gjobë për dëmet që kanë shkaktuar këta qenë njerëzve të pambrojtur.
Këto aktivitete nuk u vazhduan edhe për rrezikun e qytetarëve nga këto incidente, të cilat ndodhin para hundëve të politikanë tanë, të cilat nuk e shohin të udhës veç deklaratave verbale dhe ndonjë kumtese për shtyp, të thërrasin seancë të jashtëzakonshme ose të ndërmarrin ndonjë hap më të rëndësishëm për qetësinë e qytetarëve.
Par(ci)alizimet
Klanet, grupet dhe përçarjet brenda faktorit politik shqiptar të Kosovës Lindore, kanë bërë që gjërat të mos ecin në një vijë, por në disa sish, që për fatin tonë të keq politik, po çojnë ujë në mulli të armikut.
Ky mosunitet ka bërë që të mos formohet Këshilli Nacional, organi më i lart politik i një bashkësie etnike dhe mungesa e këtij institucioni e ka sjellë Kosovën Lindore para një humnere katastrofale.
Shqiptarët lëre që nuk flasin e mendojnë me një gjuhë e me një qëndrim, madje ata ia ngatërrojnë vetes udhën në oborr të vetë. Beogradi ka filluar ta luaj lojën djallëzore, duke favorizuar ndonjë subjekt e duke bllokuar ndonjë tjerët.
Koalicioni i ashtuquajtur i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk mund ta luaj rolin e Këshillit Nacional, ky është një koalicion “gjysmagjel”, i cili merre para nga Beogradi për të vepruar në kuadër të sistemit, i cili sistem i sheh shqiptarët përmes grykës së pushkës.
Ky parcializim i korpusit politik shqiptar ka bërë që zyrtarët e Beogradit kur vijnë në këtë krahinë kalojnë si para varrezave, pa i përshëndetur liderët tanë që fshihen si pula të lagura në kotecet e tyre zyrtare. Ky anashkalim i zyrtarëve të Beogradit ndaj pushteteve lokale në Preshevë dhe Bujanoc, vjen se ata u kanë marrë erë atyre, që sëpata nuk u pret në një vend.
Ky koalicion, i cili erdhi në jetë gjatë vitit 2007, veç kulaçit financiar që mori në emër të votave të qytetarëve, ai edhe sot vazhdon të marrë nga 979.430,oo din (në kundërvlerë të euros 10.530.oo në muaj dhe 11.700.000,oo din në vit ose 125.806. oo euro. Këto para qe Beogradi i servon për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke llogaritur edhe pagën e deputetit republikan është një kafshatë e madhe, e cila i ngulfatë për të marrë veprime unike në interes të qytetarëve, të cilët pa hile ua dha votën për ndryshime.
Ndryshimet lëre që nuk ndodhën, por ato, mjerisht, mbetën të tilla, të mjera, servile dhe të turpshme. Nuk u zgjidh çështja e simboleve kombëtare, nuk u zgjidh ligjërisht dygjuhësia, nuk u krijuan kushtet për kthim të të zhvendosurve shqiptarë, nuk u demilitarizue rajoni, pra këto prioritete të Koalicionit mbeten më tepër se premtime, fraza të thata dhe bajate.
Rajonizimi
Serbia është në fazën përfundimtare të përgatitjes së ligjit për rajonizim. Ajo në të ardhmen do të ndahet në 7 rajone. Shqiptarët sërish janë në gjumin veror, ata nuk kanë paraqitur as një iniciativë të vetme se në çfarë riorganizimi rajonal do të mbesin në të ardhmen si duket atyre u pëlqen ky i Rrethit të Pçinjit. Derisa sanxhaklinjtë kanë paraqitur ide dhe iniciativa për një rajon të posaçëm, aty ku janë me shumicë, shqiptarët në Kosovën Lindore asgjë asnjë fjalë asnjë veprim, as për Autonomi e as për Rajon.
Beogradi i krijoi këto incidente, që shqiptarët mos të merren me rregullimin e rajonit të tyre, por të merren me gjykimin e incidenteve, për zbardhjen e tyre dhe për të dalë sa më të pafajshëm si viktimë përpara xhelatit.
Me këtë rajonizim nuk kërkohet me ngulm që t’i kthehet statusi politik që kishte një kohë Banja e Sijarinës në Medvegjë, e cila ishte me shumicë shqiptare. Kjo heshtje i ka pllakosur edhe subjektet politike shqiptare në Medvegjë për çudi.
Deputeti republikan nuk ka paraqitur asnjë amandament se si do të dukej Presheva e tij pas rajonizimit të Serbisë. Ai, po merret me kritika kundër Trupit Koordinues dhe Millan Markoviqit se ja prishi rehatinë pushtetare në Preshevë, duke e qitur “papluç” nga pushteti lokal.
Partia për Veprim Demokrati doli pa dëshirën e saj në opozitë në Preshevë, por jo edhe në Bujanoc. Në këtë komunë karakteristike është paksa e sikletshme që Dega e PVD të dal në opozitë, nga frika se serbët mund të kthen në pushtet, të cilën e humbën para 7 vjetësh. Koalicioni qeverisës në Bujanoc PVD-LPD-UDSH e di ka hahet peshku, por si duket edhe këtyre peri ka filluar të hollohet dukshëm.
Funksionimi i Asamblesë komunale në Buajnoc është shumë i ngushtë. Se si do të ndodhin gjërat në të ardhmen mbeten të shihen. Këto tri subjekte janë bërë kokë më kokë, jo pse duhen, por pse kanë interes në pushtet e në biznes. E cekëm më lartë paratë e Koalicionit duhet t’i ndajnë sipas një llogarie të përafërt PVD rreth 6000 euro në muaj, LPD rreth 3000 euro dhe UDSH rreth 1000 euro. Besa pazar i mirë politik, që i bën bashkë deri në zgjedhjet e reja.
Kërcënimet
Beogradi zyrtar i kërcënon shqiptarët me kamxhikun financiar, për t’i disiplinuar ata në qeverisjet lokale. Pushteti qendror i Beogradit i mban këto pushtet nën sqetull, duke i sjell sa andej sa këndej si të ishin kukulla shtëpi mallrash.
Beogradi veç forcës së vet politike e ushtarake kohëve të fundit në Komunën e Bujanocit, ka formuar një organizatë terroriste “Sveti Apostolov Petar i Pavle”, për t’i homogjenizuar serbët lokalë, nga kinse pushteti monoetnik shqiptar në Bujanoc.
Kjo organizatë terroriste mban mbledhje në Kishë për t’i luftuar institucionet shqiptare, në favor të kthimit të mëparshëm të pushtetit në duar te tyre.
Për këtë organizatë askush nuk di nga subjektet politike shqiptare, ose dinë, por nuk guxojnë të flasin.
Kjo heshtje dhe gjërat e tjera mund ta rrezikojnë bërthamën kombëtare në Bujanoc dhe kjo komunë të kthehet në një Medvegjë të dytë, për të cilën ruajmë kujtime të ëmbla si në përralla. Na ishte njëherë një Medvegjë?!.