Përzgjedhësi i Islandës, norvegjezi Age Hareide, e ka vlerësuar lart potencialin e Kosovës pas shortit për plasman në Ligën B të Kombeve.
Kosova dhe Islanda do të ballafaqohen në play-off për inkuadrim në Ligën B, ku ndeshja e parë zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 20 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa tri ditë më vonë ndeshja kthyese zhvillohet në Islandë.
“Nuk ka diferencë të madhe ndërmjet shumicës së skuadrave të Ligës B dhe C. Për ne është e rëndësishme të qëndrojmë në Ligën B dhe për ta bërë këtë, duhet t’i kemi dy paraqitje të mira ndaj një kundërshtari të vështirë”.
“Natyrisht, do të doja që ndeshja të luhet në Reykjavik, por kjo për fat të keq është e pamundur. Kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe shpresoj se të gjithë do të jenë të gatshëm për të luajtur në muajin mars”, ka thënë Hareide për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Islandës.
Stadiumi kryesor në Reykjavik është në renovim dhe nuk pritet të përfundojë deri në muajin mars. /Telegrafi/