Telegrafi

Kosova kryeson CEFTA-në, jo UNMIK-u

Kosova nuk e humb kryesimin në vitin 2011 të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të vendeve të Europës juglindore të njohur si CEFTA. Sipas Ministrit në largim Ahmet Shala, kjo tashmë është e qartë, sikur që është e qartë se institucionet e Kosovës, do ta kryesojnë marrëveshjen, e jo UNMIK-u.

Edhe pse zyrtarët nga Serbia vazhdimisht janë shprehur se UNMIK-u, e jo Kosova do ta kryesojë CEFTA-në, Shala tha se tashmë është gjetur zgjidhja, falë metodës Gimnih. Mbajtja e takimeve me metodën Gimnih, nënkupton mospërdorimin e simboleve shtetërore. Shala kërkoi qasje joemocionale ndaj kësaj.

“Konsideroj që ne nuk duhet të jemi emocional ndaj kësaj, përkundrazi duhet të jemi shumë racional dhe shumë inovativ për t’i gjetur format që Kosova të ulet në tavolinë e barabartë me shtetet e tjera, për t’i zgjedhur çështjet që shkojnë në dobi të saj dhe të rajonit”, tha Shala.

Pjesë të marrëveshjes së CEFTA-së janë shtetet e Europës juglindore, ndër të cilat edhe Serbia e Bosnja e Hercegovina që nuk e njohin Kosovën. Ministri Shala tha se viti 2011 do të jetë vit i kthesave në marrëdhëniet rajonale në dobi të Kosovës. /Telegrafi/