Telegrafi

Kosova kryen stërvitjen e radhës para ndeshjes me Norvegjinë – mungon Zhegrova, lëndohet Rrahmani

Përfaqësuesja e Kosovës ka kryer me sukses edhe seancën e radhës stërvitore para ndeshjes miqësore me Norvegjinë në Oslo.

Dardanët e kanë mbajtur seancën e tretë stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të grumbullimit për miqësoren e qershorit kundër Norvegjisë.

Përzgjedhësi Franco Foda, ka vazhduar të përqendrohet në aspektin taktik, duke punuar intensivisht në fazën e sulmit e mbrojtjes si dhe në tranzicionin e këtyre dy fazave gjatë lojës.

Në stërvitje për shkak të një shqetësimi të vogël ka munguar Edon Zhegrova, derisa stërvitjen para kohe e ka ndërprerë edhe kapiteni Amir Rrahmani, në konsultim me stafin mjekësor, pasi ka ndjerë shqetësim të vogël.

Futbollistët tjerë të gjithë kanë qenë në formë të mirë dhe duke u përgatitur maksimalisht për të marrë minutat e tyre në këetë ndeshje.

Stërvitjen e radhës, Dardanët pritet ta zhvillojnë nesër (e diel) në orën 11:00. /Telegrafi/