Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur sot në takim homologun e saj italian Luigi di Maio.
Haradinaj-Stublla ka thënë se me ministrin Di Maio diskutuan për situatën aktuale në Kosovë, e po ashtu edhe për pandeminë COVID-19.
Ministrja theksoi se ka marrë përkrahje nga ministri Di Maio për sigurim sa më të shpejtë të vaksinës antiCOVID-19.
“Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja shtetet, ku mora përkrahjen e Ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët tanë. Ai më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021”, ka deklaruar Haradinaj-Stublla.
Postimi i plotë:
Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres në Prishtinë sot Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, z.Luigi di Maio, i cili po qëndron në Kosovë për të përshëndetur trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Me homologun italian kishim një takim të frytshëm, ku diskutuam për situatën aktuale në Kosovë dhe zhvillimet në rajon, e sidomos për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha mes Kosovës dhe Italisë, dy vende që vazhdojnë të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes vete.
Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja shtetet, ku mora përkrahjen e Ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët tanë. Ai më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021.
Përkrahja nga Italia nuk ka munguar as gjatë periudhës së pandemisë, ku ndihma nga shteti italian si dhe asistenca e Komandës Italiane të KFOR-it në menaxhimin e situatës kanë qenë thelbësore.
Gjatë këtij takimi, gjithashtu diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi strategjike, veçanërisht në atë të mbrojtjes, përkrahjes së mëtejme për fuqizimin e rinisë së mrekullueshme të Kosovës. /Telegrafi/