Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka pritur sot një delegacion të Qeverisë së Republikës së Hungarisë, të kryesuar nga sekretari i shtetit për diplomacinë ekonomike të Hungarisë Levente Magyar, i cili tha se Qeveria hungareze është e përkushtuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, ministri Hoti dhe sekretari i shtetit hungarez për diplomacinë ekonomike, Levente Magyar diskutuan për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Hungarisë në fushën e financave, si dhe në ndërtimin e stadiumit nacional ne Kosovë.
Me këtë rast, ministri Hoti falënderoi Qeverinë hungareze për bashkëpunimin dhe ndihmën e deritanishme për Kosovën, me theks të veçantë për marrëveshjen për themelimin e një programi kornizë për bashkëpunim financiar në vlerë prej 62 milionë euro ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, tashmë të nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Hungarisë, Peter Szijjarto.
Ndërsa, sekretari i shtetit për diplomacinë ekonomike të Republikë së Hungarisë, Levente Magyar tha se Qeveria hungareze është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e financave dhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Në këtë takim të pranishëm ishin gjithashtu edhe ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Laszlo Markusz dhe zëvendës sekretari i shtetit, Zsolt Csutora dhe ambasadorja e Republikë së Kosovës në Budapest, Luljeta Vuniqi.