Sot, zhvillohet një nga ndeshjet më të rëndësishme për Kosovën. Dardanët do të përballen me Islandën, në takimin që zhvillohet në Bratislavë nga ora 16:00.
Kosova e kishte mundur Islandën me dy pikë dallim (80:78) në Prishtinë dhe një fitore tjetër do të ishte shumë e rëndësishme për kalim në rrethin e ardhshëm.
Dardanët në ‘fluskën’ e Bratislavës po paraqiten me disa mungesa, dhe kjo ndikoi edhe në humbjen ndaj Sllovakisë 91:67. Sidoqoftë, angazhimi i basketbollistëve nuk ka munguar dhe lojtarët janë të motivuar për këtë sfidë shumë të rëndësishme.
Ndeshja Islandë-Kosovë zhvillohet në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.
Në Grupin B, Sllovakia, Islanda dhe Kosova kanë grumbulluar nga pesë pikë, kurse Luksemburgu ndodhet e fundit me tri pikë.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Sllovakia e pret Luksemburgun, që zhvillohet nga ora 19:00.
Kosova ndeshjet e fundit në grup do t’i ketë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ku do të përballet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.