Site icon Telegrafi

Kosova katërvjeçare

Në ditën e festimit të katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të shpallur me 17 shkurt 2008, dhe thuajse në prag të 13-të vjetorit të mbarimit të luftës dhe të fitimit të një lirie edhe pse të pjesshme, si çdo individ, ashtu edhe shteti edhe institucionet e saj, do të duhej që të bënin llogaritjen e arritjeve dhe shqyrtimin e mbetjeve për të ardhur në përfundimin se sa është festive kjo datë!?

Kosova përgjatë këtyre katër viteve të pavarësisë së saj është ballafaquar me shumë probleme si ekonomike, politike, shoqërore, sociale, të brendshme, të jashtme, por padyshim se ajo ka arritur edhe sukseset e saj edhe pse ndoshta jo shumë të kënaqshme për këtë popull, i cili për vite të shumta vuajti barrën e robërisë, nënshtrimit, persekutimit, dhunës, analfabetizmit, shpërnguljeve, arrative, burgosjeve, vrasjeve, humbjeve të njerëzve…

Ndërsa sot ajo po e vuan barrën e varfërisë, papunësisë, presioneve politike si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, presionit dhe frikës për humbjen e veriut, problemeve të brendshme shoqërore, sociale, politike, ekonomike, si dhe problemeve të jashtme si ai i mosliberalizimit të vizave, mospërfaqësimit të Kosovës si shtet në shumë qarqe politike e shoqërore në botën e jashtme.

Ndërsa festimin e këtij përvjetori e ka zbehur edhe tragjedia e fundit që i ndodhi Kosovës, rasti i Restelicës pasi ishte më të vërtet rast shumë prekës për të gjithë ne, kur kihet parasysh humbja e njerëzve. Por në çdo fatkeqësi ka edhe fat, andaj fati i kësaj fatkeqësie ishte gatishmëria e popullatës kur e kërkon vendi, gatishmëria për vetëflijim, për sakrificë në të mirë të vendit, dhe mbi të gjitha fati i mirë i krejt kësaj tragjedie ishte shpëtimi i Amseres pesëvjeçare, e cila rastësisht është thuajse sa vetë vitet e pavarësisë së Kosovës.

Andaj ky duhet të jetë një nxitje dhe shtytje për të gjithë ne që këtë vit ta quajmë “viti i ardhmërisë” dhe t’i përkushtohemi me tërë qenien tonë individuale dhe institucionale që gjatë këtij viti ardhmërisë sonë të i sjellim ditë më të mira, të punojmë në atë mënyrë që përvjetorin tjetër më të vërtetë ta festojmë si një rilindje të Kosovës, si një ringjallje të saj.

Le ta harrojmë sadopak këtë acar dhe gjithë fatkeqësitë që solli dhe të mendojmë për pranverën që është duke na ardhur, ta shikojmë botën me syrin e të bukures, ta shikojmë botën me syrin e diellit që shkëlqen pas shiut, ta shikojmë botën me syrin e gjelbërimit që vije pas dimrit, të marrim mësim nga e kaluara, që ta jetojmë të tashmen, gjithsesi duke punuar për të ardhmen.

Exit mobile version