Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk ka emëruar asnjë ambasador, ndonëse katër muaj më parë janë shkarkuar 13 prej tyre, të emëruar politikë.
Në fillim të shtatorit, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi tha se procesi i emërimit të ambasadorëve pritet të përfundojë javët në vazhdim.
Megjithatë, as pas katër javësh nuk ka asnjë emërim.
Telegrafi ka dërguar pyetje në lidhje me këtë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por nuk ka marrë përgjigje.
E, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar gjithë procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj, duke thënë se përveç që ky proces po shkon ngadalë, është edhe pa transparencë.
“Meqenëse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ulur nivelin e përfaqësimit në nivel të Ngarkuarish me Punë në 22 misione diplomatike të saj, e një misionit i ka vënë drynin, procesi i përzgjedhjes së Ambasadorëve të rinj është duke shkuar shumë ngadalë dhe totalisht pa transparencë”, theksoi Musliu-Shoshi në një prononcim për Telegrafin.
Deputetja e PDK-së, në prononcim për Telegrafin tha se Komisionit për punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, i kanë shkuar për shqyrtim vetëm 5 emra nga 16 sa do të duhej.
Siç tha ajo, “Legjislacioni në fuqi për Shërbimin e Jashtëm, parasheh që 50% e shefave të misioneve diplomatike duhet të jenë nga radhët e diplomatëve të karrierës, e 50% të jenë të emëruar me çelës politik”.
“Rrjedhimisht, nga 32 misione diplomatike sa i ka Republika e Kosovës nëpër botë, 16 duhet të jenë të udhëhequra nga diplomatë karriere e 16 nga të emëruar me çelës politik. Ndërkaq, Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit i kanë ardhur për shqyrtim vetëm 5 emra nga 16, sa do të duhej – e pjesa tjetër, diplomatët e karrierës, i propozohen Presidentes direkt”, u shpreh deputetja e PDK-së.
Ajo e quajti paaftësi të MPJD-së mos propozimin e 16 emrave për ambasadorë të Kosovës.
“Pra, për katër muaj, MPJD nuk ka qenë e aftë t’i gjej 16 persona të cilët do të mund të shërbenin si Ambasadorë të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Tutje, sipas Musliu-Shoshit në përzgjedhjen e ambasadorëve të karrierës ka edhe mungesë të transparencës nga Kabineti i Ministres.
“Në përzgjedhjen e atyre të karrierës, ka një mungesë totale transparence nga Kabineti i Ministres, të cilët duket se kanë filluar përzgjedhjen e Ambasadorëve me të vetmin kriter afërsinë me partinë në pushtet, duke i përjashtuar nga mundësia pjesën tjetër të zyrtarëve të MPJD-së, të cilët kanë edhe përvojën edhe përgatitjen e duhur profesionale” tha ajo.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e PDK-së tha se ka paqartësi edhe për Konsujt e Përgjithshëm të emëruar politikë.
“Një temë për të cilën nuk kemi fare qartësi nga ana e MPJD-së, është edhe puna e Konsujve të Përgjithshëm, veçanërisht atyre që janë të emëruar politikë. Kjo temë është ngritur shumë herë nga opozita e djeshme që sot është në pushtet, ndërsa tanimë kur kemi kalkulime elektorale, kjo temë nuk po trajtohet fare”, tha ajo.
Musliu-Shoshi tha se “nuk mendoj që ne duhet t’i hyjmë aventurave për t’i lënë pa shefa misionesh edhe misionet tona konsullore, kur tanimë i kemi pa shefa misionesh ato diplomatike”.
“Thjeshtë, si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, publikisht kërkoj nga MPJD-ja qartësi për hapat të cilat ata do t’i ndërmarrin në këtë drejtim. Kjo, pasiqë amatorizmi i tyre në trajtimin e misioneve tona diplomatike dhe marrëdhënieve dypalëshe të Republikës së Kosovës me 23 shtete, më shtyen t’i paraprijë kësaj çështjeje, e të mos zihemi në befasi nga email-at e MPJD-së për lirim nga detyra edhe të shefave të misioneve konsullore”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së tha se pret që vendimet e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla të jenë të menduara mirë.
“Për fund, uroj që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të reflektojë dhe të kuptojë që vendimet që ajo merr prekin drejtpërdrejtë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj. Andaj, edhe pres që vendimet e saj të jenë të mirëmenduara dhe me një plan konkret veprimi, për të mos i lënë hapësirë vakumeve, si ky me rastin e Ambasadorëve”, theksoi ajo.
Sipas saj, ministrja Gërvalla do të duhej të fliste e t’i sqaronte këto tema.
“Ndërsa, do të ishte mirë që Ministrja të na njoftonte për të gjitha këto tema, qoftë në Kuvend, qoftë në Komision, apo edhe në një takim në MPJD – kudo që asaj i konvenon, pasiqë bashkërendimi i punëve është në interes të Republikës së Kosovës dhe forcimit të subjektivitet ndërkombëtar të saj”, tha Musliu Shoshi. /Telegrafi/