Për Kosovën, tregu ekonomik evropian mbetet synimi kryesor, ndërsa Procesi i Berlinit në të cilin Kosova është trajtuar njëjtë me vendet e tjera, ka dëshmuar njohjen e plotë të sovranitetit të Kosovës.
Kështu ka deklaruar anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), Isa Mustafa, me rastin në tryezën shkencore “Rruga e Kosovës drejt integrimit ekonomik evropian”, ku tha se Procesi i Berlinit, një urë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, ka ndikuar në përshpejtimin e reformave të tregut energjetik, në aspektin e sigurisë dhe të krijimit të hapësirës së përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Sipas Mustafës, është e nevojshme që pas përfundimit të Samitit të Londrës të përmbyllet ky proces dhe të vazhdohet rruga për integrim në BE.
Ai tha se si i tillë, ky proces ka kontribuar në zhvendosjen e marrëdhënieve dhe proceseve të rrugës së konflikteve në rrugë të mirëkuptimit, përderisa ka nxitur vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërtojnë infrastrukturë fizike rrugore e hekurudhore, lidhje të transportit ajror dhe bashkëpunim ekonomik në aplikimin e teknologjisë informatike me standardet e BE-së.
“Ky proces ka shërbyer pozitivisht në përshpejtimin e reformave infrastrukturore, reformave ekonomike, të tregut energjetik, në bashkëpunim kulturor dhe të rinisë … 3’02” Për Kosovën, interesat e saj ekonomike, tregu unik i BE-së mbetet synimi ynë themelor. Kjo përputhet edhe me propozim implementimit të marrëveshjes së Sabilizim-Asocimit dhe marrëveshjes së CEFTA-s… Procesi i Berlinit ka dëshmuar njohjen e plotë të sovranitetit shtetëror të Republikës të Kosovës, duke pasur parasysh se në këtë proces, Kosova është trajtuar plotësisht e barabartë me vendet e tjera. Por ky proces ka nevojë të mbështetet nga vendet e fuqishme të BE-së”, tha ai.
Anëtarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), Justina Shiroka-Pula tha se Kosova që nga paslufta ka bërë hapa për harmonizimin e legjislacionit me direktiva të Bashkimit Evropian (BE).
“Republika e Kosovës që nga paslufta ka bërë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt harmonizimit të legjislacionit dhe rregulloreve të sektorit energjetik me direktiva të Komisionit Evropian. Një nga hapat e rëndësishëm është shthurja e KEK-ut, si operator i vetëm i integruar vertikalisht. Ky është një proces tejet i rëndësishëm për sistemin elektro-energjetik, në rritjen e transparencës të efiçiencës në këtë sistem, duke i parë direktivat të cilat e kanë mundësuar shthurjen e KEK-ut. Republika e Kosovës është njëherit nënshkruese e traktatit të të komunitetit të energjisë, hap i rëndësishëm në harmonizimin e legjislacionit të energjisë me atë të Komisionit Evropian. Nënshkrimi i këtij traktati, njëherit është detyrë e Kosovës t’iu përmbahet obligimeve që vijnë direktivat e BE-së”, tha ajo.
Më tej, Pula shtoi se këto direktiva synojnë të direktojnë një treg të qëndrueshëm, përderisa integrimi i tregjeve të BE-së është kompetencë e Këshillit Evropian.
Ekonomisti Sokol Havolli, i cili prezantoi punimin “Procesi i Berlinit i vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi se këtë fushëveprim janë përfshirë disa projekte investive, të cilat janë investime të drejtpërdrejta të vendeve të Ballkanit, e që janë transporti, energjia, hapësira e përbashkët ekonomike. Ndërsa tha se në Samitin e Londrës pritet që të jetë temë edhe çështja e sigurisë. /Telegrafi/