Banka TEB organizoi në Pejë një punëtori akademike për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke sjellë ekspertiza që do ta ndihmojnë zhvillimin e strategjisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Drejtori i Bankës TEB, Ayhlan Albeyoglu, tha se gjatë këtij trajnimi do të ketë mundësi t’u ipen njohuri pjesëmarrësve për të zhvilluar apo formuar qëndrueshmërinë me planet e ndërmarrjeve zhvillimore. Albeyoglu ka shtuar se Kosova ka potenciale për zhvillim dhe taksa të volitshme për të bërë biznes krahasuar me rajonin. Ai tha sesistemi bankar në Kosovë është mjaft i sigurt dhe i zhvilluar.
Numri një i bankës TEB tregoi se deri më tani TEB ka organizuar takime edhe në qytetet të tjera të Kosovës, andaj, ai tha se me këtë Punëtori po tentojnë që edhe nga takimi i sotëm të japin kontributin për zhvillimin strategjik të firmave.
Sipas tij, janë dy tema për trajnim, ajo për zhvillim strategjik të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, dhe tema e dytë ka të bëjë me administrimin apo menaxhimin e zhvillimit të këtyre bizneseve.
“Ne jemi të mendimit, se një firmë, qoftë ndërmarrje e vogël, e mesme apo e madhe, gjatë tri apo pesë viteve patjetër që do të kapin një zhvillim të hovshëm për të vazhduar më tutje si biznese me kapacitete të mëdha të zhvillimit… Ne praktikojmë që arsimimin ta bëjmë sipas praktikës ‘hap pas hapi’. Dhe dokumentet që do t’i japim pas takimit me këto ndërmarrje do të përfitojnë njohuri të cilat do t’i përdorin ato për zhvillimin strategjik të tyre. Andaj, kjo punëtori do t’u ndihmojë po ashtu që firmat gjatë vitit 2017 të jenë më të suksesshme me një zhvillim më të madh”, tha Albeyoglu.
Drejtori menaxhues i bankës TEB në Prishtinë, Mehmet Sanli, tha se Peja konsiderohet si pjesë e rëndësishme e Kosovës për të krijuar ndërmarrësi të shumta dhe afarizëm të veçantë.
“Për të pasur një sukses afatgjatë në biznes duhet të parashikojmë të ardhmen me produkte me vlerë për klientët tanë, nëse bizneset e injorojnë këtë fakt kaq të rëndësishëm për të bërë biznes, shumë shpejt do të kuptojnë se kanë mbetur mbrapa nga konkurrenca e tyre. Njëra ndër sukseset e kompanisë është të jetë ndryshe nga të tjerët… Banka TEB në bashkëpunim me kompaninë konsulente ka organizuar ‘akademinë biznesore’ për tregun e Kosovës. Ky koncept, nënkupton shërbime jo financiare për të sjellë ekspertiza që do ta ndihmojnë zhvillimin e strategjisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha Sanli.
Drejtues të bankës TEB theksuan se në Kosovë ka legjislacion që është në harmoni me Komisionin Evropian dhe sektorin strategjik për tekstil dhe bujqësi. Po ashtu, edhe produktet e Kosovës munden lehtë të eksportohen në tregun evropian. Për këto arsye, sipas tyre, në Kosovë ekzistojnë mundësitë të mira për të investuar. Ata thanë se e mirë për vendin është se edhe gjeografikisht ndodhet në qendër të Ballkanit, ku ka kushte të favorshme për zhvillim, ndërkohë që edhe ka kapacitete të mjaftueshme nisur edhe nga rinia e shëndoshë dhe e përgatitur që ka.
Ndryshe, në punëtorinë e organizuar nga bank TEB, kishte pjesëmarrës të shumtë nga sektori i ndërmarrësisë nga rajoni i Pejës dhe më gjerë. /Telegrafi/