Site icon Telegrafi

Kosova i ka nisur përgatitjet për ndeshjet ndaj Jordanisë dhe Greqisë

(Foto: ffk-kosova.com)

Kosova i ka nisur sonte (e hënë) në mbrëmje përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të këtij viti.

Dardanët, të mërkurën, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të luajnë ndeshje miqësore me Jordaninë, derisa katër ditë më pas do të luajnë kundër Greqisë në Athinë, ndeshje e cila do ta përmbyllë ciklin e kualifikimeve për Botërorin ‘Katari 2022’.

Kosova drejtohet nga trajneri slloven, Primoz Gliha, të cilit para stërvitjes, presidenti Agim Ademi i ka uruar punë të mbarë dhe suksese në dy këto dy ndeshje.

(Foto: ffk-kosova.com)

Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm 18 futbollistë, teksa Arijanet Muriç dhe Amir Rrahmani, do t’i bashkohen ekipit nga stërvitja e nesërme (e martë).

Ndërkaq, në këtë grumbullim mungon Elbasan Rashani për shkak të lëndimit, derisa Lirim Kastrati i Legias dhe Bersant Celina i Ipswichit janë liruar nga ky grumbullim me kërkesën e tyre.

(Foto: ffk-kosova.com)

Në dyshim është edhe ardhja e Zymer Bytyqit, i cili ende është duke i kryer ekzaminimet mjekësore në klubin e tij pas lëndimit të pësuar në fundjavë.

Seanca e sotme nisi me vrapime dhe ushtrime të lehta fizike, teksa më pas përzgjedhësi Gliha punoi më shumë në aspektin taktik, duke ua shpjeguar futbollistëve filozofinë e tij dhe atë çfarë synon nga ekipi në këto dy përballje.

Exit mobile version