Presidenti i Asociacionit të Miqësisë Japoneze-Kosovare, Mit’hat Haxhiislami, ka deklaruar se promovimi i turizmit të Kosovës në Japoni ka filluar që nga viti 2008, kur dhe është krijuar shoqata “Japan-Kosovo”.
Sipas tij, mungojnë informacionet rreth promovimit të Kosovës në gjuhën japoneze. “Mungojnë informacionet e duhura në gjuhën japoneze. Përderisa informacionet nuk janë në dispozicion të tyre, atëherë vështirë se mund të tërheqim më tepër turistë”, ka thënë ai.
Haxhiislami ka deklaruar se Kosova duhet ta zhvillojë industrinë e minierave dhe mineraleve. “Japonia ka nevojë për minerale, por informatat në dispozicion janë në gjuhë angleze dhe nuk ka informacione në gjuhën japoneze. Kjo mungesë është edhe për turizëm. Turizmi është një sektor shumë me rëndësi, por nuk është i llojit të tillë sa janë energjetika dhe mineralet”, ka deklaruar ai.
Haxhiislami në këtë bisedë për “Epokën e re” ka thënë se numri i turistëve që vijnë nga Japonia është në rritje e sipër. “Numri i turistëve që vijnë nga Japonia është në rritje e sipër, por prapëseprapë është në baza individuale, pasi kapacitetet janë të vogla. Turizmi i Kosovës ka mundësi të zhvillohet shumë më shumë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ende Kosova nuk ka kapacitete për zhvillimin e turizmit. “Fatkeqësisht, për momentin Kosova s’ka kapacitete, por ka zhvillim në disa fushë. Vetë e vërej, çdo vit që vij në Kosovë, shoh hotele me standarde të larta, mirëpo ende duhet shumë punë dhe përkrahje nga institucionet, pasi kjo është çështje madhore”, ka deklaruar ai.
Haxhiislami ka theksuar se përkrahje ka gjithmonë vetëm me fjalë. “Kur vjen në pyetje vepra apo përkrahja financiare, fatkeqësisht ato mungojnë, kështu që duhet të mbulohen shpenzimet nga buxheti personal”, është shprehur ai.
Haxhiislami ka thënë se ambasadat nuk merren me përfaqësimin e biznesit, prandaj duhet krijuar një institucion i posaçëm. “Ideja ime çdoherë ka qenë të krijohet një zyrë ekonomike në Japoni dhe të bëhet promovimi i çdo sektori të biznesit. Kam pasur kërkesa çdoherë, por buxheti nuk ekziston dhe mungon një promovim më i denjë atje. Është për t’u lavdëruar puna e ambasadorit Ahmet Shala, i cili është duke u përpjekur të bëjë çmos për promovimin e Kosovës atje”, ka theksuar ai. /Epoka e Re/Telegrafi/