Site icon Telegrafi

Kosova ka nevojë për një platformë për bisedime, të miratuar nga Kuvendi  

Është koha e fundit që spektri politik kosovar të arrijë një pajtim për mënyrën se si do të përfaqësohet në bisedimet e reja më palën serbe.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e rrethanave politike në vend, të cilët kanë thënë se në këto takime po diskutohet për kornizën e përgjithshme të marrëveshjeve që pritet të arrihen.

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar se në takimin e së dielës të zhvilluar në Bruksel në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiqi u  diskutua vetëm për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes që pritet të arrihet.

Ajo ka thënë për Telegrafin se nuk ka pasur detaje që janë diskutuar në takim, derisa ka shtuar se është keq që “Kosova po shkon në bisedime pa një platformë të përbashkët”.

“Ka nevojë për një platformë të miratuar nga Kuvendi për qëndrimin e shtetit të Kosovës në këto bisedime. Ajo që shihet si e rëndësishme – në këtë rast – që legjislativi i vendit përmes një seanca të jashtëzakonshme të mandatoj udhëheqësit e procesit të ri të bisedimeve Kosovë – Serbi, të cilët do të përfaqësojnë qoftë temat, qoftë vijat e kuqe të palës kosovare”, ka shtuar Krasniqi.

Ajo ka folur edhe për rëndësinë e bashkërendimit të këtij procesi në mes akterëve politik në vend, duke theksuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe duhet që ta arrijë konsensusin sa më parë.

“Presidenti dhe kryeministri duhet që sa më parë t’i ftojë partitë politike, në mënyrë që të ulen, të flasin dhe të pajtohen për vendimet”, ka shtuar Krasniqi.

Ndërsa, analisti Belul Beqaj ka thënë se të çështja e bisedimeve të tanishme në mes Prishtinës dhe Beogradit ka një problem të trefishtë.

Sipas tij, fillimisht Bashkimi Evropian (BE) me veprimet e veta po dëshmon se nuk po i përmbahet parimeve që po kërkon t’i realizoj në raportin në mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar të ashtuquajturën marrëveshje gjithëpërfshirëse të obliguara nga palët.

“Në njërën anë është kundër politikanëve që kanë aktakuza, janë të ndjekur ose dyshohet se kanë bërë vepra kriminale, në anën tjetër e mbështesin Hashim Thaçin, i cili në raportin e Dick Marty është i akuzuari kryesor”, ka shtuar Beqaj.

Sipas tij, fakti se BE-ja e mbështetë një personalitet të tillë, e sjellë jo vetëm atë por edhe Kosovën në pozitë inferiore, duke shtuar se “nëse është parimi për mosmbështetje të politikanëve që janë të dyshuar, atëherë nuk duhet mbështetur presidenti i vendit”.

“Presidenti i vendit nuk e ka mandatin nga parlamenti, edhe pse e ka të drejtën kushtetuese, për ta përfaqësuar vendin në këto bisedime”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Serbia vazhdimisht po kërkon të realizoj disa synime, si ndryshimin e Kushtetutës së saj, ta lidhë me ngritjen dhe faktorizimin e serbëve në një autonomi territoriale brenda Kosovës.

“Kjo mund të jetë rrezik potencial për stabilitetin e Kosovës edhe nëse vendi arrin të inkuadrohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, ka thënë Beqaj.

Ndryshe, dje është zhvilluar takimi në mes presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Ky takim u mbajt në kuadër të fazës finale të dialogut, ku edhe pritet që kjo fazë të përmbyllet me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi ka zgjatur pothuajse tre orë, derisa në një konferencë për media Thaçi ka treguar se çfarë u bisedua gjatë takimit. /Telegrafi/

Exit mobile version