Zhvillimet politike në vendet me demokraci të avancuar gjithnjë kanë për baze elementin e qeverisjes se vendit përmes një qeverie të forte në njërën anë dhe një opozite më të fortë në anën tjetër, ngase edhe thuhet “ku nuk ka opozitë nuk ka as pozitë”. Qeverisja e fundit në Kosovë dëshmoi që Kosova nuk bën të ketë një qeveri që përfaqësohet nga dy partitë më të mëdha, mirëpo, ka nevoje për një opozitë, e cila bën bumerang dhe ngrite zërin e një pjese të madhe të popullit që s’ka votuar po edhe të atyre që kanë votuar me seriozitet dhe nuk duan gabime nga njerëzit që ata i kanë votuar. Dështimi i një qeverisje përfaqësuese të shumicës, në qeverisjen paraprake i qartësoi disa gjera, marrjen e vendimeve dhe aprovimeve të ligjeve të pa filtruara mirë, e që aprovoheshin vetëm nga shumica, por në të njëjtën kohë dëshmoi edhe nevojën e ekzistimit të një opozite të fortë, dhe posaçërisht na mësoi se si zhvillimet demokratike mund të gjenden para sfidave befasuese dhe shumë vështirë të kalueshme për të gjitha palët, si spektrin politik, ashtu edhe shoqërinë civile, organizatat tjera dhe popullin në përgjithësi.
Zgjedhjet e fundit, përkundër që ishin të përballura me shumë keqpërdorime, peripeci, dështime, përsëritje, akuza të ndërsjella, në fund të fundit është nevoja për hapa finalizues, që qojnë në formimin e qeverisë, ngase këtë e do momenti, zhvillimet e brendshme dhe të jashtme. Zhvillimet e brendshme në Kosovë nuk duhet te krijojnë zymti në raport me zhvillimet e jashtme kur Kosovës i duhet një moment i tillë. Krijimi i qeverisë me partinë me të votuar në krye, është domosdoshmëri e kohës. Për një qeveri të fortë në pushtet, gjithsesi duhet të ketë dy parti shqiptare plus me komunitete pakicë. Partia më e votuar në vend, do ketë vetëm edhe këtë rast, të qeverisë më mirë dhe me seriozitet, ose në zgjedhjet tjera e pret shija e opozitës, mos edhe më keq që i bie, mos përfaqësim as në parlament. Duhet të kihet parasysh që populli është lodhur keq, nuk do premtime, por hapa konkret në zbutjen e halleve të tyre. Mos serioziteti i deklaratave të subjekteve politike në raport me krijimin e qeverise, sikur po e zbeh edhe përfaqësimin e tyre opozitar. Pse është kështu?
– Partia e dytë duket qe nuk ka vend në qeveri të ardhshme edhe sikur të donte, ngase sido që ata të thonë, e vërteta është se ata kanë dezertuar në momentet me kritike për Kosovën. Kjo i bën ata që më mirë të qëndrojnë në një opozitë të fortë se askund, sepse a mund të besoj dikush që nuk do të bëjnë po të njëjtin veprim dhe krijojnë mangësi institucionale dhe të braktisin ato përsëri për interesa të tyre personale, e atë në momentet me të nevojshme për Kosovën. Kemi nevojë për atë opozitë!
– Partia e tretë më e votuar në vend, as që e ka të qartë se si do ia bëjë, sfida e parë e tyre është se, ata kurrë njëherë më parë se kanë kërkuar ëmbëlsinë e parlamentit, e tani të shohim mos po ua ndryshon kokëfortësinë që identifikon përfaqësimin e tyre. Të mos hyjnë fare në parlament i zhgënjejnë ata që i kanë votuar, por nëse vendosin të hyjnë, ky parlament është zgjedhur sipas pakos së atij që këta nuk e njohin. Mirëpo, sfidat nuk mbarojnë këtu për këtë parti, dilema është, para kujt të betohen këta deputetë nëse pranojnë të hyjnë, Kushtetutës që ka dale nga “Pakoja” që ata s’e njohin, apo të provojnë t’i shmangen betimit duke ngelin jashtë. Një gjë e fortë rezulton nga kjo parti, se këta fare nuk i hezitojnë protestave dhe daljeve në rrugë, duke menduar kështu ata do provojnë të shkurtojnë jetën qeverisjes së ardhshme, pa marrë parasysh se kush do jenë ata. Mund të ndodhe që këta të gjenden para një amullie që as vet nuk e dinë se si do të ia dalin, sepse janë burra dhe i kanë shti fjalët ngushtë, as me qeverinë e as me opozitën. Kështu patën premtuar, e pa e përqafuar njërën nga to, besa nuk përfaqëson askënd.
– Partia e katërt me e votuar, ka qenë shumë e paqartë në qëndrimet e saj, sepse duket se po u ngelet merak të jenë pjesë e qeverisjes, e kanë kërkuar atë shije me parë, mirëpo në tjetrën anë, i kanë vënë fjalët ngushtë, sepse ata po kërkojnë që Kosovën të mos e udhëheq njeriu më i votuar në Kosovë. Në të njëjtën kohë shprehin interesim të bashkë-udhëheqin me partinë e tij, por pa njeriun e nominuar për kryeministër nga partia me e madhe. Mirëpo, kjo parti duhet të jetë shume e kujdesshme se nëse vetëm edhe njëherë të ngelet jashtë lige, e pret fati i një partie që dikur kishte disa deputetë, mirëpo ngelja jashtë qeverisë e bëri që as pragun të mos e kalojë, e një fat i tillë mund të pres edhe këtë partinë e katërt më të votuar. Mos të befasohemi që kjo parti mundë të pasojë edhe një nën-ndarje, sepse nuk ka hyrë e vetme në zgjedhje, por ka pasur një përzierje “bishtash”, a ata mund të lakojnë rrugën në interes të vetin.
– Partia e pestë me e votuar mbetet njëra nder potencialet bazë në krijimin e qeverisë së ardhshme, ata kanë qenë shume të kujdesshëm në deklaratat e tyre, përveç disa lëshimeve të vogla duke u ngutur të provojnë të kenë ndikimin akoma pa ju dhanë rasti.
– Rasti më interesant doli të jetë partia e cila të vetmen logo e kishte, “I ka ardhur fundi qeverisjes së vjetër”. Se sa të vjetër e kanë konsideruar ata qeverinë paraprake nuk e di, por një gjë duhet pasur parasysh se, Kosova ka një politikë të re, dhe që ajo qeveri ishte gjetur jo rastësisht ne vendimet me madhore që ky vend i ka marrë, dhe jo gjithçka ka shkuar keq, për të besuar që një logo e tillë të ishte pjese e fushatës së suksesshme parazgjedhore.
Atëherë, kemi arritur në momentin kur zgjidhja assesi nuk do të ishte që të kemi një qeverisje gjithëpërfshirëse, këtë populli nuk do ta preferonte kurrë, sepse këto parti do të hanin bashkë për një kohë, dhe befas do të hidhëroheshin gjatë ndarjes së kulaçeve, dhe duke dezertuar cilado do të krijonte telashe. Populli është lodhur nga zgjedhjet, sillu pështillu po e njëjta “meny” vetëm format tjetër. Ndonëse s’kemi më kohë, sfidat presin zgjidhje, koha është që të kemi një pozitë të fortë dhe duke u shoqëruar nga një opozitë edhe më e fortë, dhe këto të dyja bashkë të kryejnë me plotë përgjegjësi obligimet e veta, duke na hapur shtigje zhvillimore dhe perspektivë evropiane.