Site icon Telegrafi

Kosova ka mundësi të mëdha për fuqizimin e Bashkimit Evropian

Stefan Habock, udhëheqës i organizatës ‘Paneuropa” dhe Philip Stephan Jauernik, menaxher i të njëjtës organizatë, janë shprehur të befasuar në kuptimin më të mirë të fjalës për gjërat e reja që e karakterizojnë Kosovën.

Ata, gjatë një ligjërate që e kanë mbajtur para dhjetëra studentëve të UBT-së, në objektin e kësaj të fundit, të premten, kanë thënë se duke qenë si shteti më i ri dhe me popullsinë më të re në Evropë, Kosova ka mundësi për të dhënë kontribut të madh në zhvillimin dhe fuqizimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë kuptim, Habock e Jauernik, kanë shfaqur bindjen se për këtë arsye, Kosova, jo vetëm që duhet të bëhet pjesë e BE-së, por është e drejtë e patjetërsueshme e saj që të kërkojë me ngulm që ky proces të përshpejtojë.

Të gjitha këto, dy mysafirët austriakë, i kanë thënë në ligjëratën e mbajtur, pas një diskutimi proevropian të rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi.

“Integrimi evropian i Kosovës dhe shoqërisë së saj është bazë për zhvillim të gjithmbarshëm”, ka thënë Hajrizi.

Edhe mysafirët, gjithashtu, kanë thënë se Kosova si shtet i pavarësuar duhet të bëhet pjesë e familjes evropiane, ndonëse sipas tyre, disa shtete janë kundër një hapi të tillë.

Sidoqoftë, Habock e Jauernik, shprehen se me Kosovën në BE edhe më lehtë do të mund të luftohen dukuritë negative që e prishin stabilitetin e Evropës. Duke folur për lëvizjen e lirë në Evropë, Jaurnik ka theksuar se duhet për të bërë më shumë.

“Këtij populli të ri i mungon e drejta elementare, i mungon liria e lëvizjes dhe kjo gjë duhet të ndryshojë”, ka thënë ai.

Jauernik është shfaqur edhe me kritika ndaj gjendjes së përgjithshme politike në Evropë, ndërsa këtë përgjegjësi ia ka adresuar elitës politike evropiane, korrupsionit dhe urrejtjes mes popujve. Krejt këto, sipas tij, po ndikojnë në nivelin e jetës së banorëve të pafajshëm në Kosovë, të cilët kanë sakrifikuar çdo gjë për të qenë të lirë dhe prapë po u mohohet kjo e drejtë.

Stefan Habock, ndërkaq, ka theksuar se e ka përcjellë gjendjen në Kosovë, që nga lufta e fundit, ndaj e vlerëson shumë kontributin e popullit të saj, siç shprehet ai, “për gjithçka që kanë sakrifikuar gjatë gjithë këtyre viteve”.

“Me atë që keni bërë dhe arritur, populli juaj ka fituar respektin tim”, theksoi ai, duke iu drejtuar profesorëve dhe studentëve të pranishëm në sallë.

Habock shpjegoi se synimi i tij më i madh është që të organizojë konferenca të mëdha të të rinjve, pjesë e të cilave do të jenë popujt e të gjitha vendeve të Evropës, duke përfshirë edhe atë nga Kosova. Sipas tij, kjo do të bëhet me qëllim që vende të ndryshme të fuqizohen dhe të jenë pjesë, jo vetëm e kulturës, por edhe e politikës evropiane. “Evropa është shtëpia jonë dhe ne duhet të punojmë shumë që të rrisim cilësinë e jetës këtu”, ka shtuar ai, duke vlerësuar se edhe Austria nuk ka bërë mjaftueshëm për kosovarët. Por, siç është shprehur ai, me ndihmën e qytetarëve të Kosovës, kosovarët do t’i tregojnë Evropës dhe botës se janë njerëz të mrekullueshëm dhe punëtorë.

“Përparësia e popullit tuaj është se ju si njerëz të rinj, keni mundësinë t’i tregoni botës anën tuaj më të mirë”, u ka thënë Habock studentëve, teksa bashkë me Jarnikun i janë përgjigjur interesimeve të studentëve dhe ligjëruesve për temën e ligjëruar.

Exit mobile version