Site icon Telegrafi

“Kosova ka 2/3 e votave në UEFA”

Nëse Kongresi i UEFA-s do të votojë për anëtarësimin e plotë të Kosovës, Federata e Futbollit të Kosovës pretendon se ka siguruar 2/3 e votave që i nevojiten për t’u bërë pjesë e familjes europiane të futbollit. Ky është pohimi i Besim Hasanit, kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), i cili është i bindur se me 99%, anëtarësimi do të vijë brenda muajit maj të këtij viti.

Në një intervistë të dhënë për të përditshmen kosovare “Zëri”, ai ka sqaruar se anëtarësimi në UEFA i Kosovës kishte mbështetje të fortë ndërkombëtare, sidomos nga Tomas Bah, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Gjermani kishte parashikuar pas vizitës së tij në Kosovë, që të ndërhynte te Sep Blater dhe Mishel Platini, që të shpejtonin procesin e anëtarësimit të futbollit, por ngjarjet e muajve të fundit në FIFA dhe UEFA nuk ia lejuan ta bënte një gjë të tillë.

“Kur Bah ishte në Prishtinë, na tha neve, mua dhe Vokrrit, të caktojmë një ditë për të shkuar tek ai dhe planifikonte ta ftonte edhe Blaterin. Por, pastaj Blater dhe Mishel Platini u pezulluan dhe nuk dinim kur t’i takonim, pasi të gjithë i dini ngjarjet që ndodhën në UEFA dhe FIFA”, tha Hasani. “IOC-ja insiston mbi parime të forta. IOC-ja e ka pranuar KOK-un dhe me këtë nënkuptohet se të gjithë sportistët kosovarë, duke përfshirë futbollistët, kanë të drejtë të garojnë në kualifikime për Lojërat Olimpike. Këtë të drejtë tonën e kufizon mospranimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA, ndaj IOC-ja nuk dëshiron ta lejojë askënd t’i shkelë parimet e saj”, tregoi ai arsyen pse Bah po planifikonte këtë takim shumëpalësh.

Statuti i UEFA-s është një pengesë, por për drejtuesin e KOK, gjithçka mund të zgjidhet nëse ekziston dëshira e mirë dhe sidomos nëse gjenden votat e mjaftueshme për një votim të mundshëm në Kongresin e UEFA-s, në fund të shkurtit apo në maj. “Unë besoj se 99,9% pranimi do të ndodhë. E vërteta është se ka një problem ligjor, sepse statuti i UEFA-s kërkon që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Ose do të ndryshohet statuti dhe do të harmonizohet me atë të FIFA-s, ose do ta marrin rastin e Kosovës si ‘sui generis’ dhe do ta kalojnë atë pengesë ligjore. Unë jam vazhdimisht në komunikim me krerët e FFK-së. Ata më kanë treguar se gjërat po shkojnë siç duhet dhe se i kanë 2/3 e votave në favor të tyre, kështu që presim lajme të mira”, deklaroi kreu i lëvizjes olimpike kosovare.
 

Exit mobile version