Telegrafi

Kosova, jashtë statistikave të Eurostat

Çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm në Shqipëri janë më të lira se në vendet e tjera të Evropës. Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë indeksin e çmimit të jetesës më të ulët se vendet e tjera.

Të dhënat nga Eurosat bëjnë të ditur se mesatarja e indeksit të çmimit të jetesës për Shqipërinë arrin në 53%, në krahasim me mesataren e përgjithshme të Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave nga Eurostat, vendi më i shtrenjtë për jetesë është Danimarka e cila ndiqet më pas nga Norvegjia, Zvicra, Finlanda dhe Islanda. Mesatarja e indeksit në Danimarkë arrin në 141%, shumë më tepër në krahasim me mesataren e përgjithshme të BE-së.

Vendi më i lirë, pjesë e Unionit Evropian është Bullgaria me 51%, gati gjysmën e mesatares së përgjithshme. Nivelet e çmimeve për ushqim dhe pije jo-alkoolike në Shqipëri për vitin 2008 arrijnë në 74% të mesatares së përgjithshme të BE-së, kundrejt 82% të Serbisë dhe 75% të Malit të Zi.

Për pijet alkoolike dhe duhanin niveli i çmimeve varion nga 57% në Shqipëri, 54% në Serbi dhe 45% në Malin e Zi. Në 27 vendet e BE, çmimet janë më ulëta në Rumani 61% të mesatares dhe më e larta në Irlandë 184%. Sipas Eurostat, ky ndryshim i madh i çmimeve vjen si rezultat i dallimeve në taksimin e këtyre produkteve ndërmjet shteteve anëtare.

Për veshje, niveli i çmimeve në Shqipëri është më i ulëti ndërmjet vendeve të Ballkanit, konkretisht 90%, krahasuar me 113% në Malin e Zi dhe 104% në Serbi. Për kategorinë e pajisjeve elektronike, Shqipëria e kalon mesataren e përgjithshme duke shkuar në shifrat e 122%, ndërkohë që në vendet e tjera të Ballkanit nuk kalojnë 100%. Për restorantet dhe hotelet, variacionet e çmimeve nuk ndryshonin shumë ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve fqinjë.