Site icon Telegrafi

Jeremiqit i ndalohet hyrja në Kosovë, Gërvalla: Evropa e SHBA-ja t’i vëzhgojnë veprimet e Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia ka ndaluar këtë të shtunë hyrjen në Kosovë Vuk Jeremiqit, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryediplomatja Donika Gërvalla, duke thënë se mbështetja e Jeremiqit në Parlamentin serb për atë që e kanë quajtur ‘riintegrim’ i Kosovës së pavarur në Serbi, është i ngjashëm me planin e Putinit për ‘riintegrimin’ e Ukrainës – pra “një recetë për luftë”.

“Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik”, ka shkruar Gërvalla në Facebook, ndërsa u ka bërë thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon.

“Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende”, ka shtuar ajo.

Tutje, ka thënë se Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan “për aq kohë sa SHBA-ja dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për krizat dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, pra duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese”.

Në fund, kryediplomatja ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë.

“Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit”, ka përfunduar Gërvalla. /Telegrafi/

Exit mobile version