Telegrafi

Kosova ia kalon Shqipërisë

Por FMN shpreh gjithashtu shqetësimin se kjo rritje ekonomike u dedikohet në masë të konsiderueshme, shpenzimeve të qeverisë së Kosovës. Kosova pati akumuluar disa kursime gjatë viteve të shkuara, të cilat qeveria i shpenzoi gjysmat këtë vit dhe gjysmat vitin e ardhshëm.

Këto kursime përbëhen nga fitime të pashpërndara të kompanisë publike të telekomunikacioneve PTK, të cilat mbahen në formë depozitash në bankat e Kosovës. Por për FMN-në, tërheqja e menjëhershme e këtyre depozitave nga ana e qeverisë, do të thajë likuiditetin nëpër banka dhe do të sjellë reduktim të menjëhershëm të kreditimit. Qeveria ka planifikuar një deficit buxhetor prej 7 për qind të PBB-së, deficit që do të mbulohet me kursimet e viteve të shkuara.

Kosova ka 2.1 milionë banorë dhe 3.8 miliardë euro Produkt të Brendshëm Bruto për vitin 2009. PBB për frymë është 1731 euro. Rritja ekonomike e vitit të ardhshëm pritet të jetë 4.3 për qind. Këtë vit, qeveria e Kosovës miratoi një ligj që i lejon huamarrjen e brendshme, por për FMN-në, huamarrja duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe se qeveria e Kosovës duhet të mendojë për buxhet të balancuar në të ardhura dhe shpenzime.

Për më tepër, huamarrja në euro në Kosovë mbart edhe interesa të larta. Aktualisht, depozitat njëvjeçare në euro në republikën më të re të kontinentit, japin më shumë se 6 për qind interes, ndërsa kreditë jepen me më shumë se 12 për qind interes. Në këtë pikë, huamarrja e qeverisë së Kosovës mund të mbartë interesa tepër të larta. /shqip/