Telegrafi

Kosova i pret 25 milionat e BB-së

Disa nga projektet kryesore, të cilat do të financohen nëpërmes kësaj strategjie, sipas sektorëve, janë: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmirësimi i infrastrukturës për biznese, financimi i përfundimit të Parkut Industrial në Drenas, dizajnimi dhe implementimi i programit për funksionalizmin e inkubatorëve të biznesit etj.

Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave ka bërë të ditur për Kosova Sot se projekti për kryerjen e punëve publike tanimë ka filluar të zbatohet gjatë vitit 2010 dhe është përgatitur buxheti të vazhdojë edhe në vitin 2011.

“Është një projekt për inkuadrimin e të papunëve të regjistruar në realizimin e projekteve publike. Krijimi i një programi kompjuterik për strategjinë e punësimit publik në Kosovë. Ngritja e kapaciteteve për zhvillimin e inspektoratit të punës në pajtim me një plan të detajuar në kuadër të strategjisë për punësim”, ka thënë Shahini.

Përveç këtyre projekteve, sipas tij, ekzistojnë edhe shumë projekte të tjera të cilat janë pjesë e kësaj strategjie, që do të kenë ndikimin e tyre në zvogëlimin e papunësisë në Kosovë.

“Natyrisht, pasi që obligimet për pranimin e pjesës prej 20 milionë eurove në formë të grantit janë përmbushur gjatë vitit 2010, atëherë pranimi i këtij granti gjatë vitit 2011 do të përforcojë pozitën fiskale përmes rritjes së bilancit bankar”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Financave.

Pjesa prej pesë milionë eurosh, do të pranohet në formë të kredisë koncesionale, ofrohet me kushte të volitshme, me rikthim pas dhjetë vjetësh, dhe me një normë interesi në formë të taksës së shërbimeve administrative prej 0.75 për qind mbi bilancin e kredisë së mbetur.

“Shlyerja e kësaj kredie duhet të bëhet në periudhë dhjetëvjeçare, nga vitit 2020 deri në vitin 2030 dhe e tërë shuma e interesit të paguar për këtë kredi gjatë dhjetë vjetëve do të jetë përafërsisht 375 mijë euro”, ka thënë Shahini. /Telegrafi/