Telegrafi

Kosova i plotëson kërkesat për bukë vetëm 53 %

Rritja e subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë sipas Adil Behramajt kanë për qëllim që të ketë ulje kostoja prodhuese dhe stimulim të fermerëve për rritjen e sipërfaqeve të mbjella. Sipas tij, sivjet buxheti për subvencione është rritur për subvencionimin e mbjelljeve vjeshtore përreth 50 për qind, shuma për subvencionimin e mbjelljeve vjeshtore është tre milionë euro.

“Vitin e kaluar janë ndarë nga 90 euro për një hektarë, ndërsa sivjet kjo shumë do të jetë mbi 100 euro”, tha ai.
Sipas të dhënave të drejtorive komunale bujqësore, sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore sivjet planifikohen të jenë rreth 80.000 hektarë, mirëpo Adil Behramaj, Zyrtarë për informim në Ministrin e Bujqësisë se sesa do të realizohet ky planifikim do të vërtetohet pas përfundimit të mbjelljeve vjeshtore.

Deri më tani sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, sipërfaqet e mbjella janë mbi 70 për qind të sipërfaqeve të planifikuara.
Në Kosovë sipas statistikave, konsumi i përgjithshëm i drithërave të grurit është rreth 410 mijë tonë, përkatësisht 205 kilogram për kokë të banorit. “Me sasinë e grumbulluar në këtë vit dhe rendimentin e arritur prej 3.4 tonëve për hektarë, prodhimi i brendshëm plotësonte 53.5 për qind të kërkesave për grurë në vendin tonë”, ka thënë zyrtari për informim në Ministrin e Bujqësisë, Adil Behramaj. /Telegrafi/