Telegrafi

Kosova humb edhe takimin e fundit si vendas, mposhtet nga Ukraina (Video)

Përfaqësuesja e Kosovës ka humbur në shtëpi ndaj kombëtares së Ukrainës me rezultat 2-0 në takimin e vlefshëm për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.  

Kosova ka humbur edhe takimin e fundit si vendas në kuadër të kualifikimeve pasi është mposhtur në “Loro Boriçi” nga Ukraina e drejtuar nga legjenda Andriy Shevchenko.

“Dardanët”, tifozët e Kosovës

Pjesa e parë e takimi përfundoi pa gola, por të dy skuadrat luajtën futboll të hapur, duke krijuar edhe disa raste për gol, të cilat nuk arritën të konkretizohet nga asnjëra skuadër.

Në pjesën e dytë, Kosova krijoi diçka më shumë me anë të Besar Halimit, Bersant Celinës dhe Milot Rashicës, por pa arritur të gjejnë golin.

Në anën tjetër, Ukraina shfrytëzoi pasigurinë e mbrojtjes së Kosovës dhe gjeti dy gola në këtë pjesë.

Tifozët e Ukrainës

Fillimisht erdhi një autogol në minutën e 60-të me anë të Leart Paqaradës, ndërsa goli i 2-0 erdhi në minutën e 88-të me anë të yllit të Borussia Dortmundit, Andriy Yarmolenko, i cili vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar.

Gjatë intonimit të himneve

Pas kësaj humbje, Kosova vazhdon të qëndroj në vendin e fundit me vetëm një pikë nga nëntë ndeshje, ndërsa Ukraina në vendin e tretë me 17 pikë.

Në ndeshjen e fundit, Kosova udhëton për tu ndeshur ndaj Islandës, ndërsa Ukraina e pret në shtëpi Kroacinë. /Telegrafi/