Site icon Telegrafi

Kosova me hapa të sigurt drejt prodhimit të energjisë së ripërtëritshme

Sektori Privat i USAID-it EMPOWER konsideron se energjia e gjelbër është alternativë fantastike e energjisë që konsumojmë e cila vjen nga burimet natyrore që na rrethojnë, si era, uji ose dielli. Ajo ripërtërin veten pandërprerë, që do të thotë se mund të vazhdojë deri në pafundësi. Prandaj dhe quhet “energji e ripërtëritshme”.

Edhe biomasa sipas EMPOWER është një nga burimet e energjisë së ripërtëritshme. Biomasa krijohet nga materie organike me origjinë shtazore ose bimore.

Biomasa bimore përbëhet nga mbeturina druri, tallash, degë të thata apo lëvorja e drunjve, madje edhe nga disa lloje të mbeturinave që njerëzit hedhin. Të gjitha këto riciklohen për t’u shndërruar në “biomasë të drurit”.

“Jo shumë kohë më parë, fuqia e biomasës së drurit si lëndë djegëse është shpërfillur. Mirëpo gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtimin e duhur. Në Kosovë ka informata që flasin për rritjen e kërkesës për peletin, i cili është dhe një nga trajtat më të përdorura të biomasës së drurit, edhe pse ka hyrë në përdorim vetëm vitet e fundit”, thekson projekti EMPOWER.

Rritja e përdorimit të peletit ka rezultuar në rritje të importit dhe shitjes. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se ka rezultuar në shtim të prodhimit në dy zinxhirë të vlerave në Kosovë: prodhimi i peletit dhe prodhimi i stufave dhe kaldajave.

Duke parë potencialin për zhvillim të sektorit të energjisë, USAID e përfshiu këtë sektor në kuadër të projektit EMPOWER Sektori Privat që ka si objektivë kryesore nxitjen e krijimit të vendeve të punës. Një tjetër objektivë e projektit është të mbështesë rritjen e cilësisë së energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë së produkteve dhe proceseve finale, si një nga mënyrat që sjell krijim të vendeve të reja të punës në këtë sektor.

Në kuadër të mbështetjes që jep, EMPOWER Sektori Privat i USAID-it financoi një analizë të cilësisë fiziko-kimike të peletit nga druri që tregtohet në Kosovë. Analiza kishte si qëllim të përcaktonte cilësinë e peletit të drurit, qoftë të importuar apo të prodhuar në Kosovë.

Për të bërë analizën u angazhua laboratori vendor “Sara dhe Meti”. Ky laborator bëri raundin e parë të mostrimit të produktit. Mostrat u morën nga dy importues të zgjedhur në mënyrë rastësore dhe nga dhjetë prodhues vendorë. I gjithë procesi ishte i bazuar mbi metoda me standarde ndërkombëtare, përfshirë ISO dhe EPA.

Me anë të analizave u kërkua të përcaktohej dendësia, niveli i lagështisë, përmbajtja e hirit, gjatësia dhe diametri, por edhe parametra të tjerë që ndikojnë tek cilësia e peletit që shitet në Kosovë. Këto analiza nxorën në pah, me pak përjashtime, se shumica e rezultateve ishin brenda normave të referencës.

Po ashtu, analizat treguan se prodhuesit vendorë patën rezultate më të mira se sa dy importuesit e përzgjedhur në mënyrë rastësore. Rezultatet më të mira u hasën në tri parametrat që kanë rëndësi kyçe: dendësia, përmbajtja e lagështisë dhe e hirit.

Ky është një lajm i mirë për konsumatorët.

Por pavarësisht këtyre lajmeve inkurajuese, rezultatet nga vetëm një raund i analizave nuk janë të mjaftueshme që të nxjerrim konkluzione për cilësinë e peletit që prodhohet dhe tregtohet në Kosovë.

Ndaj, EMPOWER Sektori Privat do të financojë edhe dy raunde të tjera të analizave. Mostrat e reja të peletit do të merren në verë dhe në vjeshtë/dimër, pasi stina se kur merren mostrat mund të ketë ndikim tek rezultatet e analizave.

Përveç këtyre gjetjeve, analiza sjell edhe disa rekomandime. Rekomandimet theksojnë ndër të tjera se institucionet duhet vazhdimisht të monitorojnë dhe të mbështesin prodhuesit e peletit në Kosovë për t’i ndihmuar të përmirësojnë prodhimin, të implementojnë standardet ndërkombëtare dhe të koordinojnë logjistikën.

Kjo gjë do të kishte ndikim pozitiv tek sektori i prodhimit të peletit në vend, që po përjeton një rritje të shpejtë dhe është shndërruar në alternativën me kosto më të mirë nga burimet e tjera të energjisë. Natyrisht, kjo do të sillte dhe zhvillim të mëtejshëm të sektorit dhe krijim të më shumë vendeve të punës. /Telegrafi/

Exit mobile version