Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka pranuar ftesën zyrtare nga drejtori i Basketball Champions League, Patrick Comninos, që skuadra kampione e Kosovës (2017/2018) të marr pjesë në raundin kualifikues të kësaj gare për edicionin 2018/19.
Ekziston mundësia që edhe një klub tjetër nga vendi ynë të marr ftesë për edicionin e ardhshëm të garave kualifikuese të Basketball Champions League.
Duhet theksuar se ky është viti i dytë radhazi që Kosova ftohet për të marr pjesë në Basketball Champions League, pasi që në edicionin e kaluar ishte Sigal Prishtina si kampione, e cila garoi në raundin kualifikues.
Por, klubi i basketbollit Prishtina nuk arriti të vazhdojë më tutje dhe më pas luajti edhe në FIBA Europe Cup, po ashtu garë kjo në të cilën nuk arriti të kalojë raundin.
Data e fundit për të paraqitur skuadrën në garat e Basketball Champions League, së bashku me të gjitha dokumentet tjera mbështetëse është 22 qershor 2018. /FBK/