Site icon Telegrafi

Kosova fiton turneun “Adem Jashari”

Finalja në të cilën u ballafaquan Kosova dhe Benago, dhuroi emocione të mëdha, duke i kënaqur mbi njëmijë shikues që ishin mbledhur në palestrën e sporteve. Edhe pse u shënua vetëm një gol, kjo përballje ishte mjaft cilësore dhe u vlerësua si një ndeshje tejet joshëse. Benago në këtë përballje hyri si favorite për faktin se ajo dy herë kishte fituar këtë turne, derisa Kosova kërkonte me ngulm që trofeu të mbetej në Prishtinë dhe kështu të barazonte trofetë me Benagon. Jeton Rukovci ishte ai që vetëm gjashtë minuta pa përfunduar ndeshja shënoi një gol, i cili edhe doli të jetë vendimtar.

Pjesa e parë kaloi në shenjë të kosovarëve, megjithatë edhe Benago ishte skuadër shumë e fortë kështu që të dyja më shumë vëmendje i kushtonin mbrojtjes, pasi që e kishin parasysh se një gol i pësuar mund të jetë vendimtar, gjë që edhe doli ashtu. Periudha e parë edhe pse me shumë raste përfundoi pa gola, derisa në këtë rast duhet përmendur portierët e të dyja skuadrave e në veçanti atë të Kosovës, Bashkim Rexhepin, i cili ishte i pathyeshëm përballë sulmeve të kundërshtarit.

Edhe periudha e dytë ishte e nivelizuar, por ja që një pakujdesi në mbrojtjen mysafire u kushtoi me humbje.

Në fund organizatori i turneut, si lojtarin më të mirë e ka shpallur Agon Rexhën e Kosovës, ndërsa epiteti i shënuesit më të miri i takoi çekut Vojan Lestov, me tre gola të shënuar. Portieri më i mirë u shpall Bashkim Rexhepi. Kupën kapitenit të përfaqësueses së Kosovës, Suad Keçi, ia dorëzoi përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari.

Kjo ndeshje ishte e fundit për kapitenin e përfaqësueses së Kosovës dhe njëherit lojtarin më të mirë të futsallit në Kosovë, Suad Keçi. /Telegrafi/

Exit mobile version