Site icon Telegrafi

Kosova fiton me përmbysje ndaj Armenisë

Kosova në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore ndaj Armenisë, me përmbysje të rezultatit, në ndeshjen e parafundit të ciklit kualifikues për Botërorin 2023.

Ndeshja e zhvilluar, të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e vlefshme për Grupin F, ka përfunduar me rezultat 2:1 në dobi të Dardaneve.

Për Kosovën kjo është fitorja e dytë në këto kualifikimeve dhe që të dyja i ka arritur pikërisht ndaj armeneve. Kosova e dominoi në plotni ndeshjen, por hasi në vështirësi për të gjetur rrugën e golit, ndonëse në dy raste golin ia mohoi shtylla, pas gjuajtjeve të Elizabeta Ejupit dhe Blerta Smailit.

Ndërkohë, Kosovës i kushtoi një moment pakujdesia në mbrojtje në minutën e 77-të, kur Blerta Smaili ktheu prapa topin tek portierja Besarta Leci, por pasimi ishte më i fortë se sa duhej dhe përfundoi në rrjetë.

Megjithatë, reagimi i Dardaneve ishte shumë i shpejtë, ngase qysh në minutën vijuese barazuan rezultatin me golin e Valentina Metajt, derisa në minutën e 87-të arritën edhe të shënojnë golin e fitores, kur Erëleta Memeti shënoi nga afërsia pas harkimit të Donjeta Halilajt.

Do theksuar se pjesa më e madhe e 45 minutave të dytë u zhvillua nën rrebeshin e shiut, teksa nga tribunat mbështetje vashave dardane iu dhanë edhe presidenti Agim Ademi dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Pas kësaj fitoreje Kosova ka 7 pikë dhe zë pozitën e parafundit në renditjen e Grupit F, derisa ndeshjen e radhës dhe përmbyllëse të këtij cikli e luan më 6 shtator si mysafire e Polonisë.

Exit mobile version