Telegrafi

Kosova fiton Medalje të Bronztë në Olimpiadën e Matematikës

Kosova ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare për Studentë Universitarë – IMC 2023.

Kështu ka njoftuar Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.

Kosova në këto gara u përfaqësua nga dy studentë të Universitetit të Prishtinës, Andi Sejdiu dhe Oki Caka. Andi Sejdiu ka fituar një Çmim të Tretë (Medalje të Bronztë).

IMC është ndër garat më të rëndësishme botërore të matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës.

“Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon Ekipin e Kosovës për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës në këtë olimpiadë prestigjioze!”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka shtuar se mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës. /Telegrafi/