Site icon Telegrafi

Kosova fiton medalje të bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Brazil (Foto)

Ekipi i Kosovës ka fituar një medalje të bronztë dhe dy medalje nderi në Olimpiadën Matematikore Ndërkombëtare të zhvilluar në Brazil.

Ekipi i nxënësve të Kosovës është paraqitur sivjet shumë mirë në Olimpiadën Matematikore Ndërkombëtare, duke u kthyer me një medalje të bronztë dhe dy medalje nderi.

Gara që konsiderohet Kampionat Botëror i Matematikës për nxënës të shkollave të mesme në të cilën marrin pjesë thuajse të gjitha shtetet e botës u zhvillua në Brazil.

Lajmin për medaljet e bëri të ditur në një postim në Facebook, përkrahësi i ekipit kosovar dhe studiuesi i matematikës në Universitetin e Prishtinës Valmir Krasniqi.

“Nxënësi Shend Zhjeqi i solli Kosovës një medalje shumë të rëndësishme, Medaljen e Bronztë nga Olimpiada Matematike Ndërkombëtare”, shkroi Krasniqi.

Ai tregoi se Zhjeqi për pak nuk e fitoi medaljen e argjendtë, pasi larg kësaj medaljeje mbeti për vetëm një pikë.

Sipas Krasniqit, rezultati i sivjetmë është më i miri për Kosovën i arritur ndonjëherë në Olimpiadën Ndërkombëtare Matematikore.

“Megjithëse ekipi i Kosovës ishte me një anëtar më pak, rezultati i arritur këtë vit është më i miri prej se Kosova merr pjesë ne IMO”, shkroi Krasniqi.

Medalje nderi fituan edhe Ardita Berisha e Viktori Ahmeti, ndërsa në ekipin e nxënësve të Kosovës ishin edhe Alban Elezi e Flutura Shabani.

Instituti ATOMI, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook,  e uron dhe e përgëzon atomistin Shend Zhjeqi për fitimin e Medaljes së Bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (ONM)!

“ONM është gara më e rëndësishme ndërkombëtare e matematikës, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e botës, të përfaqësuara nga nxënësit më të mirë të matematikës. ONM është kampionati botëror i matematikës për nxënësit e shkollave të mesme. Prandaj, arritja e Shendit është vërtet e jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e ATOMI-t.

Më tej thuhet se meritat për këtë sukses të jashtëzakonshëm të Shendit, para së gjithash i takojnë vet Shendit, potencialit të tij të jashtëzakonshëm intelektual, talentit të tij për matematikë dhe përkushtimit e punës së tij të palodhshme.

“Por, për këtë arritje janë meritorë edhe prindërit dhe familja e tij për përkrahje të vazhdueshme, mësimdhënësit e Gjimnazit Matematik për punë të mirë me të dhe Shoqata e Matematikanëve të Kosovës që ka mundësuar shkuarjen e tij në ONM”.

Gjithsesi, njeriu më meritor për përkrahje profesionale të vazhdueshme për Shendin dhe për këtë sukses të tij është Valmir Krasniqi, i cili për vite ka punuar me Shendin, edhe privatisht, edhe në kuadër të Institutit ATOMI edhe në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”.

Shend Zhjeqi është vetëm 15 vjeçar dhe përveç që është atomist (dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm intelektual) tashmë ka dy dëshmi ndërkombëtare për talentin e tij të jashtëzakonshëm në matematikë.

“Ai kishte arritur maksimumin e pikëve të mundshme në Garën Ndërkombëtare të Matematikës ‘Kangaroo’ të organizuar në Kosovë nga Instituti ATOMI dhe tashmë ka fituar edhe Medalje të Bronztë në ONM, e 58-a me radhë, e cila është mbajtur këto ditë në Brazil.

Të gjitha këto e bëjnë Shend Zhjeqin krenari dhe shpresë për Kosovën dhe për të ardhmen e matematikës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Institutit ATOMI. /Telegrafi/

Exit mobile version