Telegrafi

Kosova fillon përgatitjet për miqësoret e marsit nën urdhrat e përzgjedhësit të ri

Përfaqësuesja e Kosovës ka filluar grumbullimin e parë për këtë vit nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Franco Foda dhe stafit të tij.

Pas një pauzeje prej katër muajsh, Dardanët kthehen me një mision të ri – për rrugëtim të suksesshëm, gjë të cilën synojnë ta ndërtojnë duke filluar nga dy miqësoret e këtij muaji jashtë vendit kundër Armenisë dhe Hungarisë.

Stërvitja e parë për këto miqësore është mbajtur, të hënën, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në këtë sesion të parë kanë qenë të pranishëm 17 futbollistë, ndërsa ekipi pritet të kompletohet në stërvitjen e nesërme.

Stërvitja përveç se ka shërbyer për t’u njohur më mirë stafi i trajnerëve me lojtarët, ka qenë edhe mjaft intensive.

Ambicia dhe optimizmi për një periudhë të re e të suksesshme është e pranishme tek secili lojtar dhe stafi i Përfaqësueses.

Vlen të theksohet se në listën e lojtarëve të ftuar nga Foda pati risi ku në mesin e tyre ishte edhe Drilon Hazrollaj i cili ka marrë vëmendjen e të gjithëve këtë sezon me paraqitjet e tij në Superligën e Kosovës./Telegrafi/