Site icon Telegrafi

Kosova është gati

Flamujt e Shqipërisë e përcollën përfaqësuesen e Kosovës edhe gjatë rrugës për në hotelin "Emerald", ku Kosova është e vendosur tash e disa ditë. E në këtë hotel, të enjten mbrëma u vendosën edhe futbollistët e Kombëtares shqiptare.

"Edhe këta janë flamujt tanë. Po i shoh prapa edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Është ndeshje ku të gjithë duhet të festojmë", ka thënë trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, të enjten, pas stërvitjes së fundit para ndeshjes, shkruan sot Koha Ditore.

"T’i përkrahim momentet dhe aksionet e mira gjatë kësaj ndeshjeje. Ta mbushim stadiumin dhe të kënaqemi me futboll, kjo është porosia ime. Besoj të jetë ambient familjar", ka thënë Bunjaki.

Bunjaki dhe futbollistët e tjerë të Kosovës stadiumin e Prishtinës e lëshuan me fytyra të qeshura.
Të qeshur futbollistët dukeshin gjatë gjithë ditës së enjte, të kaluar kryesisht në hotel.

Gazeta ka qëndruar gjatë gjithë ditës me ta. Pas mëngjesit, futbollistët ishin të lirë. Disa bisedonin për gjërat private e disa për ndeshjen me Shqipërinë, të cilën mezi presin ta zhvillojnë.

Fiks në orën 12:00, futbollistët u grumbulluan për të drekuar. Pasi përfunduan drekën, futbollistët provuan fanellat me të cilat do të dalin të premten në fushë. Kosova në ndeshjen kundër Shqipërisë do të dalë, si zakonisht kohët e fundit, me fanella të kaltra.

Rreth orës 13:15 futbollistët një nga një hipën në autobus për të vazhduar rrugën drejt stadiumit të Prishtinës. Para autobusit një veturë e Policisë së Kosovës i përcolli deri në hyrje të stadiumit.

Atyre nuk pati se si të mos u bjerë në sy "stolisja" e qytetit me flamuj kombëtarë.
Është raportuar se janë vendosur rreth 5.000 flamuj në gjithë qytetin. 

Exit mobile version