Kanë kaluar 3 vite qëkur Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për Odat e profesionistëve mjekësor. Qysh prej atëherë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.
Deputetja e Vetëvendosjes, Besa Baftiu tha se me atë ligj, është dashur që 6 muaj pas konstituimit të Odave të profesionistëve shëndetësor, disa kompetenca nga Ministria e Shëndetësisë t’iu barten këtyre odave.
“Ligji ka kaluar më 30 maj të vitit 2013, kurse tani jemi në vitin 2016, dhe ende asgjë nuk është punuar në këtë drejtim”, tha ajo.
Odat e tilla, një nga kompetencat bazë kanë licencimit e personelit mjekësor dhe realizimin e studimit të përhershëm.
Në Kosovë nuk ka mjekë të licensuar sipas rregullit dhe kritereve. Me një vendim administrativ Ministria pa kontroll automatikisht ia zgjat afatin secilit dhe kjo ndodh që pas viteve të para pas përfundimit të luftës.
“Procesin e lincensimit duhet tashmë të kishin filluar ta kryenin Odat – por Odat i kane planifikuar të jenë në kontejnerë, dhe tash as në ata kontejnerë nuk po i lejojnë. Pa licencim të mjekëve nuk mund të ndërtohet Sistemi i Informimit shëndetësor. Pa sistem informativ shëndetësor nuk ka sigurime shëndetësore dhe përmirësim të cilësisë së shëndetësisë dhe llogaridhënie të abuzuesve”, theksoi Baftiu.
Milionat që jep çdo vit Ministria e Shëndetësisë po shkojnë në kablla dhe tenderë të cilët nuk japin rezultat nëse nuk fillon funksionalizimi i Odave, lincensimi i mjekeve që përbën një nga bazat e prishjes se sistemit klintelist dhe rrjetit të krimit të organizuar në shëndetësi.
“Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje kryesuesve të Odave të cilët kanë mbetur veç formalisht atje, të deklarohen e të dorëhiqen, duke denoncuar kështu dëmin e madh që po bën Ministria e Shëndetësisë”, tha ajo. /Telegrafi/