Site icon Telegrafi

Kosova ende e rrezikuar nga ekstremizmi i dhunshëm

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbajti sot konferencën rajonale me temën “Kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë dhe rajon – Çka tutje?”, ku u tha se pavarësisht punës së bërë nuk është eliminuar rreziku ndaj kësaj dukurie në shoqërinë kosovare.

Peter Van der Bloemen, zëvendësambsador në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, tha se edhe nga Holanda mbi 300 persona u janë bashkuar grupeve terroriste.

Ai ka ofruar gatishmëri të madhe ndaj Kosovës për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Fatos Makolli, koordinator nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Republikën e Kosovës, tha se parandalimi i ekstremizmit është sfidë që duhet ta luftojnë të gjithë bashkërisht.

Makolli tha se me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie Kosova ka ndërmarr një sërë aktivitetesh, ndërsa edhe në aspektin ligjor vendi ynë është fuqizuar. Si sfidë ai përmendi luftimin e këtyre ideologjive në internet dhe në burgje.

Florian Qehaja, drejtori i QKKS-së, tha se me ekstremizëm të dhunshëm kanoset jo vetëm Kosova, por edhe të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se për shkak të indiceve për rigrupime të tjera në Lindjen e Mesme identifikimi i mekanizmave për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm është shumë i rëndësishëm.

Në këtë konferencë u prezantua edhe raporti “Thyerja e miteve të ISIS-it- Si të kundërveprohet ndaj narratives së ISIS-it në internet? Rasti i shteteve shqipfolëse”./KP/

Exit mobile version