Telegrafi

Kosova: Ejani investoni në bujqësinë tonë

Në një broshurë voluminoze të shpërndarë në internet, Prishtina zyrtare dëshmon se Kosova është ende importuese e rëndësishme në mish, qumësht, djathë e zarzavate, bujqësia e saj nuk shfrytëzohet ende në kapacitet të plotë për shkak të mungesës së investimeve, gjë që e bën këtë vend shumë interesant për investitorët.

Me një sistem taksash shumë të përshtatshëm për investime si dhe me fleksibilitet shumë të lartë administrativ, mundësitë janë të shumta. Kosova rezulton sot për sot importuese neto për mishin, zarzavatet dhe frutat, ndërkohë që rentabiliteti i tokës së saj është shumë i lartë.

“Ne kemi ende pagat më të ulëta në rajon, popullatë të re, energjike dhe multilinguale”, thotë qeveria e Kosovës në prezantim. Për shkak të klimës së përshtatshme dhe përbërjes së tokës, rentabiliteti është i lartë gjithashtu, ndërsa kostoja e prodhimit të mishit është ende shumë e ulët",thuhet ne studim.

Kosova gëzon gjithashtu strukturë të ndarjes së pronësisë së tokës shumë më të mirë sesa Shqipëria. Në Kosovë ka aktualisht 1800 kooperativa dhe ferma tregtare, private apo publike. (Shqipëria ka njëzet herë më pak). Ferma mesatare e 143 mijë ekonomive familjare, ka 3.5 hektarë tokë, ndërsa 8% e tokës bujqësore është e shpërndarë në ferma të mëdha me mbi 10 hektarë.

Rentabiliteti i tokës në Kosovë është: 30 tonë për hektarë në kulturën e patates, 40 tonë për lakrën, 15 tonë për qepën, 35 tonë për domaten. Dardhët japin 30 kilogramë për rrënjë, mollët, 45 kg, bostanet, 25 tonë për hektarë.

Mishi duket se është produkti me perspektivë më të mirë. Sot më shumë se gjysma e mishit të konsumuar në Kosovë ka origjinë importi dhe është një treg me volum prej qindra milionë eurosh. Përpunimi i qumështit është gjithashtu një treg joshës për shkak se më pak se 20% e qumështit të prodhuar atje, arrin në fabrikat e përpunimit./Shekulli/