Telegrafi

Kosova edhe zyrtarisht anëtare e FMN-së dhe BB-së

Ceremonia e nënshkrimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në FMN dhe në BB u zhvillua në Departamentin amerikan të Shtetit, ndërsa një kopje e marrëveshjeve iu dorëzua nënsekretarit amerikan të Shtetit, James Steinberg.

Fillimisht – siç bëhet e ditur në një komunikatë të Presidencës – udhëheqësit kosovarë nënshkruan anëtarësimin në këto dy institucione prestigjioze ndërkombëtare, ndërsa më pas ata gjithashtu nënshkruan edhe gjashtë marrëveshje dhe konventa të tjera që janë pjesë e Bankës Botërore.

Republika e Kosovës u anëtarësua në Fondin Monetar Ndërkombëtar në fillim të majit, ndërsa në Bankën Botërore në fillim të qershorit. Në të dy rastet, për pranimin e vendit tonë në këto institucione votuan edhe përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, fakt ky që është çmuar shumë lart nga udhëheqësit e vendit.

Në delegacionin e Republikës së Kosovës në Washington janë edhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala.

Para nënshkrimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në FMN e BB, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi janë takuar me nënsekretarin amerikan të Shtetit, James Steinberg. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, përpjekjet e SHBA-ve dhe Kosovës për njohje të reja, për bashkëpunimin me Bankën Botërore në sektorin e energjisë dhe për të ardhmen e Kosovës. /Telegrafi/