Site icon Telegrafi

Kosova, edhe një herë në garën “Guns N’ Roses”

Analistët politik vlerësojnë se koalicionet të cilat u formuan një ditë më parë mes partive politike, do ta bëjnë edhe një garë zgjedhore “Guns N’ Roses”.

Analisti Imer Mushkolaj shprehet se zgjedhja që bëri PDK me dorëzimin e postit të kryeministrit tek kreu i AAK-së, ishte më e mirë sesa të hynte në garë me paqartësi duke mos ditur se a do të dalë apo jo partia e parë.

“Për PDK-në e rëndësishme është të vazhdojë të mbetet me çdo kusht në pushtet”, thotë ai. “Tash besoj sedo ta kemi tamam një garë ‘Guns N’ Roses’. Për mua, e mira e këtyre koalicioneve është se qytetarët do ta dinë qartësisht se për kë do të votojnë. Pra, e dinë cilat janë blloqet para zgjedhjeve dhe nuk presim se a do të respektohet apo tradhtohet vullneti i tyre pas zgjedhjeve”.

AAK-ja, e cila në momentet e fundit bëri koalicion me PDK-në, sipas tij s’ka çfarë të humbas, pasi që një dekadë janë në pritje që të vijnë në pushtet me Haradinajn.

“Varësisht nga votat, VV mund të determinojë qeverisjen e ardhshme. Në anën tjetër, gjithë bashkimi i njerëzve të luftës me një koalicion, mund të ndodh të shkaktojë politizim shumë më të madh të elektoratit të LDK-së, ose atij elektoratit të fshehur të LDK-së. Por, po ashtu, mund ta votojnë edhe VV-në si një zgjidhje të ndërmjetme”, tha ai.

Analisti Behlul Beqaj thotë se partnerët e koalicionit PDK-AAK do të realizojnë interesa të përbashkëta, por njëkohësisht do të përballen me rreziqet dhe pasojat e përbashkëta. Ndërsa, shton se tërheqja e Veselit nga gara për kryeministër tregon një llo sakrifice të partisë më të madhe.

“Sa i përket blloqeve, mendoj se pak a shumë po sqarohet konfiguracioni politik në Kosovë, ndonëse të dy blloqet e mëdha janë të ideologjisë së djathtë. Ndërsa, VV mbetet e vetmja si faktor serioz që i mbron konceptet e saj të qendrës së majtë. Dhe, kjo në një mënyrë na bënë të mendojmë se çështja e ideologjisë po merr një kah të paqartë, për faktin se faktorët dominues po bëhen dy blloqe me koncepte të djathta. Ndërkaq, sa opozitë e mirëfilltë ideologjike po mbetet vetëm VV-ja”, tha ai.

Mbrëmë pak para mesnate u zyrtarizua koalicioni mes PDK-së në njërën anë dhe AAK-Nismës në anën tjetër. Po mbrëmë edhe LDK nënshkroi koalicionin me AKR-në e Behgjet Pacollit, pasi që paraprakisht kishte nënshkruar marrëveshje edhe me Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës. /KosovaPress/

Exit mobile version