Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2014.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për muajin dhjetor 2014 prej 198,4 milionë euro krahasuar me deficitin prej 201,4 milionë euro në periudhën e njëjtët të vitit 2013. Eksporti mbulon importin me 11.8 për qind.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 56.1 për qind të eksportit e përbëjnë: metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.5 për qind produktet minerale; 6.1 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.3 për qind tekstili dhe artikuj prej tij; 5.0 për qind produktet bimore; 3.7 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesor për import, 15.8 për qind të importit e përbëjnë: ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 15.4 për qind produktet minerale; 14.1 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.8 për qind mjetet e transportit; 7.7 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.9 për qind produktet e industrisë kimike; 5.3 për qind produktet bimore; 5.3 për qind kafshët e gjalla, produktet me origjinë kafshe; 4.7 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.
Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Kinë (27.2 për qind), Shqipëri (14.9 për qind), Indi (12.3 për qind), Maqedoni (10.0 për qind), Mali të Zi (5.2 për qind), Serbi (4.6 për qind), Gjermani (3.2 për qind), etj.
Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia (13.8 për qind), Gjermania (12.1 për qind), Turqia (9.3), Italia (9.1 për qind), Kina (8.2 për qind), Shqipëria (6.6 për qind), Maqedonia (5.4 për qind), etj. /Telegrafi/