Vëzhguesit në Kosovë thanë se vendimi që mori javën e kaluar gjykata e Beogradit për të anuluar dënimin për tradhti të Mihajlloviqit, liderit të ekzekutuar të Lëvizjes Çetnike Monarkiste, ishte një goditje për imazhin e Serbisë teksa ajo kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Hydajet Hyseni, një ish-deputet në Kuvendin e Kosovës i cili tani është kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, tha se rehabilitimi Mihajlloviqit ishte i papranueshëm për shkak të krimeve të kryera nga ana e çetnikëve.
“Rehabilitimi i Drazha Mihajlloviqit dhe Lëvizjes Çetnike është rehabilitimi i fashizmit”, tha Hyseni për BIRN.
“Është shumë e vështirë të kuptosh se si mund të ndodhë kaq hapur ky rehabilitim”, shtoi ai, duke shprehur habi që Bashkimi Evropian “e kishte toleruar” këtë vendim.
Në vitin 1946, Mihajlloviq u ekzekutua për tradhti të lartë dhe bashkëpunim me nazistët pas vendosjes së komunizmit, por javën e kaluar gjykata e Beogradit anuloi vendimin, duke vendosur se gjyqi i Mihajlloviqit pas Luftës së Dytë Botërore ishte “politik dhe ideologjik” dhe se ishin brë gabime të mëdha ligjore.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore forcat e tij u akuzuan për krime lufte dhe mizori të tjera.
Disa prej togerëve të tij të lartë në fushë bashkëpunuan haptazi me italianët dhe gjermanët nazistë në emër të ruajtjes së besimit ortodoks të Serbisë dhe të kombit. Çetnikët gjithashtu vunë në shënjestër dhe vranë myslimanë boshnjakë dhe kroatët si edhe komunistë.
Frashër Demaj, një historian në Universitetin e Prishtinës, tha se çetnikët kishin vrarë gjithashtu civilë shqiptarë.
“Çetnikët vranë gjithashtu të burgosur lufte pa respektuar as edhe një rregull lufte”, tha Demaj.
Ai tha se vendimi i gjykatës së Beogradit për të rehabilituar Mihajlloviqin ishte një sinjal negativ për vetë Serbinë ndërsa ajo kërkon t’i bashkohet Bashkimit Evropian.
“Kjo gjepur serbe duhet të marrë një paralajmërim serioz nga Bashkimi Evropian, i cili ka përgjegjësinë për integrimin e vendeve të rajonit në ish-Jugosllavisë në familjen evropiane”, shtoi ai.
Drazha Mihajlloviq ishte në qendër të polemikave në Kosovë në mars të këtij viti kur një komunë e vogël me shumicë serbe e Ranillugës propozoi t’i vinin një rruge emrin e gjeneralit çetnik dhe një tjetre emrin e Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila shkaktoi zemërim midis shqiptarëve të Kosovës.
Kryetari i komunës së Ranillugës, Gradimir Mikiq, e distancoi veten nga propozimet dhe fajësoi komisionin në komunë për vendimin dhe urdhëroi që ai të rishikohej.
Por Xhavit Krasniqi, një shqiptar i Kosovës që punon si drejtor i financës në komunë, tha se plani që atëherë ishte anuluar.
“Emrat e Sllobodan Millosheviçit dhe Drazha Mihajlloviqit u tërhoqën para dy muajsh dhe u zëvendësuan nga disa emra të tjerë”, ka thënë Krasniqi për BIRN. /kallxo.com/