Site icon Telegrafi

Kosova e Shqipëria me zyre të përbashkët doganore

Shqipëria dhe Kosova do të funksionojnë me një zyrë të përbashkët doganore, çka do të thotë se nuk do të ketë kontroll të dyfishtë në dogana. Propozimi është bërë të martën në Tiranë, gjatë një takimi të dy ministrave të Financave.

Ministri i Financave të Shqipërisë Shkëlqim Cani, ka vlerësuar bashkëpunimin shumë të mirë dhe të konsoliduar me Doganat e Kosovës, që është institucionalizuar tashmë me takimet e rregullta dypalëshe në nivel të lartë drejtues e që ka çuar në konsolidimin e bazave të partneritetit mes dy shërbimeve tona doganore. “Tranzitimi i përbashkët tashmë mundëson që doganat mes dy vendeve tona të jenë virtuale, duke mos pasur ndalesa kufitare dhe kërkoi që të mundësojnë së bashku një zgjidhje të shpejtë, sikundër kërkon edhe sipërmarrja,” tha ministri Cani.

Nga ana e tij Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti tha se tashmë ekziston një vullnet dhe dëshirë e mirë midis palëve për të vënë në rrugën e zgjidhjes një sërë çështjesh që janë ende të pazgjidhura.

Ministrat u ndalën më pas në problematikat që shoqërojnë këtë bashkëpunim ndërkufitar dhe më gjerë. Ta thanë se duhet të punohet për ngritjen, në një periudhë afatshkurtër, të një grupi të përbashkët pune për të koordinuar bashkëpunimin midis dy administratave.

Po ashtu ministrat u dakorduar të harmonizojnë politikat e taksave në fushën e mallrave të ashtuquajtur “të fortë”, që paguajnë akcizë, të zgjidhin problemin e terminaleve që në Kosovë krijojnë një kosto shtesë për eksportuesit shqiptarë, të policave të sigurimit me vlerë të njëjtë në të dy shtetet, etj.

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë: Rriten eksportet me 10.7 %. Ministria e Financave bën të ditur se për vitin 2014 volumi tregtar i shkëmbimeve me Kosovën ka qenë rreth 177 milionë euro.

Volumi i importeve nga Kosova për vitin 2014 ka qenë me një peshë specifike në masën 3.6% kundrejt totalit të importeve tona. Vërehet ulje e volumit të importeve të realizuar 25.6% më pak krahasuar me vitin 2013.
Vlera e mallrave të importuara nga ky vend për vitin 2014 ka qenë 42.6 milionë Euro. Në peshë specifike 1.1 % i takojnë vlerës së importeve nga Kosova, kundrejt totalit në vlerë ndaj të gjitha vendeve për këtë vit.
Vërehet se për vitin 2014, krahasuar me vitin 2013 ka ulje të vlerës së importeve me 42 milionë lekë me pak. Volumi i mallrave të eksportuara drejt Kosovës gjatë vitit 2014 ka zënë një peshë specifike 21.7 % ndaj peshës totale të eksporteve tona drejt të gjitha vendeve. Vërehet një rritje e peshës me 10.7% krahasuar me një vit më parë. /Telegrafi/

Exit mobile version