Republika e Kosovës është bërë me pikë doganore në Republikën e Shqipërisë. Kjo është mundësuar pas hapjes së pikës doganore në Portin e Durrësit ku është premtuar edhe lehtësira dhe eliminim i barrierave në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Viteve të fundit në këtë ceremoni u tha se janë rritur shkëmbimet në mes të dyjave vendeve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Porti i Durrësit nuk do të jetë jo vetëm një Doganë e Shqipërisë, por edhe një Doganë e Kosovës.
“Dogana e Kosovës këtu në Durrës është hapi i parë drejt bashkimit të plotë doganor të dy vendet. Integrimi kufitar sipas modelit Shengen. Sistemin Shengen, që do të thotë tani jemi vetëm në një kontroll, nga dy pika kemi një, kjo do të zgjasë edhe për pak kohë si procedurë, sepse në pranverë do të kemi një kufi fluid”, tha ai.
Ai tha se përveç Kosovës, Shqipëria synon të ketë lloje të ngjashme të sistemeve doganore edhe me vendet e tjera.
“Ne duam që këtë sistem ta vendosim edhe me Maqedoninë, edhe me Malin e Zi. Shqipëria e madhe është një sajesë e armiqve, nuk ka Shqipëri të madhe, ka një komb shqiptar”, tha Rama.
Kurse, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj i cili është edhe koordinator kombëtar i dy qeverive tha hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, është projekti i dytë më i rëndësishëm, pas Rrugës së Kombit.
“Sot është një moment i rëndësishëm i thellimit të bashkëpunimit. Besoj që ky është projekti i dytë më i rëndësishëm që pas shpalljes së pavarësisë, pas atij për ndërtimin e autostradës. Nga 4 vendime që ka marrë në Pejë dy qeveritë dhe kjo është e dyta që po realizohet. E para është pikat e përbashkëta kufitare dhe e dyta është kjo. Kjo tregon se ne takimet e përbashkëta nuk janë ashtu siç janë quajtur, por kemi kaluar në veprime konkrete. Hapja e kësaj zyre është lajm i mirë për të dyja vendet. Nga sot Kosova e ka portin e saj, si qendër e rëndësishme të zhvillimit ekonomik”, tha Limaj.
Ministri i Financave Bedri Hamza ka thënë se kanë për qëllim eliminimin e procedurave burokratike dhe krijimin e lehtësirave në mes Kosovës dhe Shqipërisë. /Telegrafi/