Site icon Telegrafi

Kosova e rrezikuar nga ndotja, fillon gara për mjedis të pastër

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane, përkatësisht organizatën GIZ, kanë lansuar Garën për Mjedis të Pastër (GMP).

Përmes kësaj gare gjashtëmbëdhjetë komunave të Kosovës do t’iu ofrohet stimulim për të përmirësuar qeverisjen e tyre, zgjeruar ofrimin e shërbimeve, rritur inkasimin dhe eliminimin e deponive të shumta ilegale që paraqesin rrezik për ambientin dhe mirëqenien qytetare.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani ka sqaruar rëndësinë lansimit të kësaj skeme të granteve. Ministri Agani ka thënë se “Gara për Mjedis të Pastër (GMP), do të luaj rol të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit, përkatësisht reduktimin e ndotjes së mjedisit të shkaktuar nga mbeturinat. Ministri i Agani po ashtu ka sqaruar edhe elementet e tjera të rëndësishme të kësaj gare siç janë: fushatat ndërgjegjësuese drejtuar ndalesës së krijimit të deponive ilegale dhe hedhjes së mbeturinave, rritjen e shkallës së mbulimit të shërbimeve të mbeturinave, mundësinë për zhvillim të projekteve për ripërdorim dhe riciklim të mbeturinave si dhe për të ardhmen e menaxhimit të mbetjeve të Kosovës.

Zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Dedaj ka folur për rëndësinë që ka mbështetja në funksionimin e qeverive lokale. Zëvendësministri Dedaj ka thënë se është i rëndësishëm harmonizimi i legjislacionit me legjislacionin kombëtar dhe të Bashkimit Evropian. Zëvendësministri Dedaj me theks të veçantë ka thënë se duhet dhënë rëndësi “mbështetjes, monitorimit dhe mbikëqyrjes së cilësisë së shërbimeve komunale”.

Po ashtu sipas zëvendësministrit Dedaj duhet një angazhim i posaçëm për zbatimin e politikave.

E pranishme në lansimin e Garës për Mjedis të Pastër ka qenë edhe Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Vites. Ambasadorja Viets ka thënë se gara ka potencial që në të ardhmen të nxisë krijimin e vendeve të punës përmes asaj që njihet si “ekonomi rrethore” përkatësisht ekonomisë së gjelbër. Ambasadorja Viets ka thënë se duhet të krijohen shërbime të prekshme siç janë shërbimet e rregullta të mbeturinave e përmes së cilave krijohet mjedis i pastër duke larguar deponitë ilegale në Kosovë. Ambasadorja ka folur edhe për disa projekte të rëndësishme të mbështetura nga shteti gjerman e të implementuara në Kosovë.

“GMP” është një skemë e granteve e bazuar në performancë dhe me qëllim të përmirësimit të shërbimeve komunale për menaxhimin e mbeturinave. Skema ofron stimulim për gjashtëmbëdhjetë komuna për të përmirësuar qeverisjen e tyre, zgjeruar ofrimin e shërbimeve, rritur inkasimin dhe për të eliminuar deponitë ilegale. Kryetarët e komunave dhe komunat e tyre tani kanë mundësinë për të fituar investime kapitale për të siguruar një mjedis më të pastër për qytetarët e tyre.

Exit mobile version