Telegrafi

Kosova e Re starton me 1000 megavat

Gjatë një konference të mbajtur për shtyp, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se Komiteti Drejtues për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”, ka aprovuar me një unanimitet të plotë një strategji të gjerë për sektorin e energjisë dhe që ka për qëllim furnizimin e qëndrueshme dhe kualitative me energjie në Kosovë.

Sipas tij. kjo do të realizohet përmes arritjes së pesë objektivave:

E para: Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” dhe hapja e mihjes së thëngjillit në Sibovc. Kapaciteti i termocentralit të ri do të jetë 2000 MW dhe do të ndërtohet në dy faza – faza e parë prej 1000 MW do të ndërtohet menjëherë dhe atë pranë termocentralit Kosova B.

E dyta: Termocentrali ekzistues “Kosova B”, përmes partneritetit publiko-privat do të rigjenerohet dhe të adoptohet për prodhim.

E treta: Termocentrali A, me përkrahjen edhe të Komisionit Evropian do të mbyllet më së largu deri në fund të viti 2015. Realizimi i projektit për termocentralin e ri “Kosova e Re” do të kompensojë mungesën e energjisë së prodhuar nga termocentrali “Kosova A".

E katërta: Qeveria do të vazhdojë me projektin për ristrukturimin dhe privatizimin e KEK-ut. Qeveria e Kosovës beson se privatizimi i distribuimit te KEK-ut do të përmirësojë humbjet teknike.

E pesta: do të vazhdohet me investimet ne prodhimin e energjisë alternative – hidroenrgjisë, energjisë solare dhe energjisë së erës.

I pari i ekzekutivit të vendit, po ashtu ka thënë se gjatë vjeshtës së këtij viti do të organizohet një Konferencë e donatorëve për sektorin e energjetikës në Kosovë, në mbështetje të USAID-it, Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian.

“Së bashku me partnerët tanë, do ta zgjidhim krizën energjetike në Kosovë – do fillojmë ta vëmë në funksion potencialin e saj në fushën e energjisë në tërë rajonin”.

Kryeministri Thaçi tutje ka shtuar se reformimi i sektorit të energjisë do të promovojë rritjen e shpejtë ekonomike dhe do ta përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Depozitat e linjitit në veri të mihjeve të tashme të Bardhit dhe Mirashit, – Mihja e re e Sibovcit, sipas Thaçit, do t’i ofrohet investitorit të ardhshëm për zhvillim në baza koncesioni.

“Transparenca do të jetë elementi kyç që do ta përcjellë çdo fazë të zbatimit të këtyre projekteve”, ka premtuar Thaçi. /Telegrafi/